Mazhoranca i jep kohë Belinda Ballukut, Këshilli i Mandateve mblidhet të premten

Pasi SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe autorizimin e arrestimit të saj, Kuvendi ka vendosur që Këshilli i Mandateve të mblidhet të premten, në 19 Nëntor për të shqyrtuar kërkesën.

Pavarësisht kërkesave të opozitës që ky Këshill të mblidhej nesër, mazhoranca kë vendosur t’i japë kohë Ballukut edhe disa ditë, para se të vendosë për fatin e saj.

Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, çështja do t’i kalojë seancës plenare, që nuk dihet kur do të zhvillohet, pasi deputetët do të marrin pushimet, e cila do të vendosë me votë nëse do të miratojë ose jo kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti qindra milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.