Matura 2024: Ja shkollat më të mira në vend

Rezultatet e Maturës Shtetërore kanë konfirmuar renditjen e viteve të shkuara, të mbizotëruar nga një grup i përhershëm i shkollave private.

Në vendin e parë të rreth 500 shkollave publike e private renditet si shkolla më e mirë me diferencë me ndjekësit “Ernest Koliqi International School” me programet ndërkombëtare nga Cambridge (mesatare reale 9,57 dhe e rrumbullakosur 9,71), në vendin e dytë përsëri shkolla “Ernest Koliqi”, por me programin shqip (mesatare reale 9,50 dhe e rrumbullakosur 9,69 dhe në vend të tretë shkolla “Preka” në Korçë (mesatare reale 9,25 dhe e rrumbullakosur 9,39).

Shkollat publike janë më pak të dukshme në majën e renditjes. Shkolla “Ali Demi” në Vlorë është në vendin e 24, ndërsa gjimnazet me traditë të Tiranës, “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri” e “Ismail Qemali” renditen menjëherë më pas.

Fundi i renditjes mbyllet nga disa shkolla periferike private si dhe një grup i madhe shkollash në zona rurale.

Këtë vit Shqipëria kishte rreth 2500 maturantë më pak se vitin e shkuar, një trend i pandalur në vitet e fundit që ecën paralelisht me uljen e përgjithshme të numrit të banorëve të vendit. Përllogaritet se rreth 15-20% e maturantëve që diplomohen në Shqipëri vijojnë studimet e tyre jashtë vendit.

Rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA-s kanë shfaqur probleme të mëdha të arsimit parauniversitar në Shqipëri.