Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim dosjen e radhës ndaj Florjan Gjergjit, i cili mashtronte biznesmenët duke u shtirur si zyrtar i lartë.
Ndaj tij janë duke u zhvilluar edhe 2 procese të tjera për skemën e mashtrimit të biznesmenëve të ndryshem në emër të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Florjan Gjergji, dyshohet si organizatori i rastit të fundit ku një biznesmeni nga Librazhdi iu morën 100 mijë euro, në emër të ministrit të Brendshëm Taulant Balla.
Gjergji është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria e Tiranës ndërsa për të janë në fuqi disa masa “arresti me burg”.
Deri para pak kohësh ai ndodhej në Gjermani, nga ku organizonte të gjitha skemat e mashtrimit, në rrjetën e të cilit kanë rënë biznesmenë të ndryshëm, kryesisht ata të fushës së ndërtimit.
Ai dyshohet se në disa raste të tjera, ka organizuar të njëjtën skemë vjedhje, duke përdorur emra politikanësh dhe ku u kanë kërkuar shuma të mëdha parash.
40-vjeçari përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.