Mashtrimi me mikrokreditë, GJKKO detyron SPAK të hetojë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Gjykata e Posaçme i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të hetojë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në lidhje me skandalin e mikrokredive, që kanë zhvatur mijëra qytetarë shqiptarë.

Më herët SPAK kishte vendosur pushimin e çështjes, pas kallëzimit të bërë nga kreu i Dhomës së Përmbaruesve Tedi Malaveci ndaj Sejkos, për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Ditën e sotme, gjyqtarja Flora Hajredinaj ka vendosur ta cilësojë të pavlefshme kërkesën e SPAK, duke pranuar ankimimin e bërë nga Malaveci në lidhje me këtë çështje. Në këtë mënyrë, GJKKO ia ka kthyer aktet Strukturës së Posaçme për plotësim hetimesh.

Mashtrimi me mikrokreditë po zgjerohet dita ditës, edhe pas denoncimeve të bëra nga vetë qytetarët.

Vetëm pak ditë më parë, para dyerve të SPAK ndodhi një ngjarje e rëndë ku 63 vjeçari Pal Trashaj, piu fotoksinë dhe ndërroi jetë në spital. Historiani nga Lezha kishte humbur gjithçka pasi ishte një ndër viktimat e kompanive të mikrokredive.

Rikujtojmë se në maj të këtij viti, SPAK nisi hetimet për Sejkon, në lidhje me mashtrimin që u është bërë qytetarëve shqiptarë nga kompanitë e mikrokredive në vendin tonë.

Në një dëgjesë në Komisionin e Ekonomisë, Sejko iu përgjigj SPAK-ut, duke u shprehur se po hetohet gabimisht, pasi Prokuroria nuk i ka dhënë asnjë informacion se këto kompani kanë kryer mashtrime financiare.

Në prill të këtij viti, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.