Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, u ka ëkrkuar atyre të marrin të gjitha masat e nevojshme për ndeshjen Shqipëri – Poloni, që zhvillohet nesër në “Air Albania”.
“Na duhet një nivel tjetër sigurie në stadiume, jo vetëm në evenimentet sportive ndërkombëtare, por edhe në garat kombëtare. Policia e Shtetit të mos lejojë asnjë shfaqje huliganizmi gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni. Ndaj kujtdo që shkel rregullat e vendosura nga UEFA, do të dokumentohen shkeljet dhe do të kërkohen ndëshkime të ashpra. Ne nuk duhet të presim të na ndodhi një ngjarje si ajo që ndodhi në Athinë pak javë më parë, për të ashpërsuar masat tona”, tha Balla.
Balla ka theksuar se asnjë huligan nuk do të lejohet të hyjë në stadium, teksa ka shtuar se po punohet edhe me palën polake për të idfentifikuar persona të tillë problematikë. Ai deklaroi se të gjithë ata tifozë që shkelin ligjin do të marrin ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit.
““Jemi në kohën e duhur për të komunikuar me publikun dhe për të thënë qartë se gjithkush që vjen në stadium, me mendjen për të shkulur stolat e stadiumit dhe për t’i hedhur ato në fushë, apo për të shkaktuar akte të tjera huliganizmi dhe këtu me Federatën Shqiptare të Futbollit duhet të jemi shumë të qartë, për të marrë masa drastike, natyrshëm pjesën penale, por dhe për të mos lejuar përjetësisht persona të caktuar që të hyjnë në stadiume. Britania e Madhe është shembulli më kuptim plotë i ndryshimit drastik, por dhe Shqipëria nuk ka pse bën përjashtim në këtë. Kemi kohën e duhur në dispozicion për të evidentuar personat me precedent huliganizmi, në të dy tifozëritë edhe në atë shqiptare edhe në atë polake. Edhe me palën polake duhet të jemi shumë të qartë dhe personat të cilët nga komunikimi me Policinë e Shtetit Polak, na rezultojnë që kanë precedent në ngjarje huliganizmi të mos lejohen fare të hyjnë në stadium edhe nëse posedojnë një biletë të vlefshme, sepse vendimin përfundimtar për të hyrë apo jo në stadium e merr Policia e Shtetit”, u shpreh ai.