Masakra me 4 të vrarë në Shkodër, Gjykata e Apelit heq masën e pezullimit nga detyra për 4 efektivët

Gjykata e Apelit ka hequr masën e pezullimit nga detyra për katër efektivët e “Shqiponjave” në Shkodër të cilët dyshohet se nuk ndaluan personin e paidentifikuaë, që dyshohet se është i kërkuari nga drejtësia, Ibrahim Lici, në masakrën e Dobraçit ku humbën jetën 4 persona.

Gjithashtu Apeli ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkodrës duke hequr edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Katër efektivët e dyshuar për shpërdorim detyre do të hetohen në gjendje të lirë me masë sigurie “detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se në atentatin mafioz të 30 tetorit humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura dhe Bashkim Basha, me këta dy të fundit të cilët gjendeshin rastësisht në vendin ku ndodhi ngjarja dhe mbetën viktimë. Çifti i bashkëshortëve po lëviznin me motor, në momentin që u përplasën nga makina ku udhëtonin Lici dhe Bushati, pak pasi drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash.

Hamza Lici dhe Flutura Basha humbën jetën në vend, Arlind Bushati disa orë pas atentatit. Ndërkohë Bashkim Basha dy ditë më pas. Sa i takon autorëve, policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen e rëndë, që u mori jetën 4 personave.