Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, pas dyshimeve se në vrasje ishte i përfshirë edhe një person tjetër.
Babai i Luisit, 14 vjeçarit tjetër që mbeti i plagosur në sherrin me thika, akuzoi policinë se po mbante të fshehur autorin tjetër, por deklarata e tij u përgënjeshtrua nga policia, që doli me njoftim se nuk ka patur asnjë person tjetër të përfshirë në ngjarje.
Gazetarja Klodiana Lala ka treguar se në ngjarjen tragjike kanë qenë 5 persona, ku viktima Martin Cani ishte me Luisin dhe djalin e tezes, ndërsa vrasësi i dyshuar ka qenë me mikun e tij, i cili po mbahet i fshehtë nga Policia.
Sipas gazetares, rezulton se shoku i autorit të dyshuar Mario Përlleshaj është djali i një hetuesi të BKH-së, pranë Prokurorisë së Posaçme.
Ajo tha se çështja po hetohet dhe pas akt-ekspertimit do të arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje.
“Në ngjarje kanë qenë 5 persona. Martin Cani, ka qenë me Luizin dhe me djalin e tezes. Vrasësi i dyshuar ka qenë me një mikun e tij, që nuk është ndaluar nga policia, pasi rezulton se nuk është përfshirë në ngjarje. Janë përleshur dy grupet e fëmijëve. Shoku i autorit të dyshuar rezulton se është djali i një hetuesi të BKH, pranë Prokurorisë së Posaçme. Grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur autor të dytë në ngjarje. Por çështja po hetohet. Me akt-ekspertimin do arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje. Akt-ekspertimi zbardh ngjarjen”, tha Klodiana Lala në News 24.