Marrëzia u rikthye sërish në Shqipëri, nga i njëjti kryeministër që tentoi t’i jepte fund 5 vite më parë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro dhe 2 abstenim ligjin për rikthimin e lojërave të fatit në Shqipëri, në një seancë jo normale, ashtu siç kanë qenë ato të 3 muajve të fundit.
Ndalimi i basteve nuk e pengoi kumarin të lulëzonte edhe në të zezë, me kompanitë e basteve që vijuan punën, por tashmë me më pak shpenzime, pasi nuk kishte nevojë të paguhej qira për ambiente, abonime në platforma për të parë ndeshjet dhe taksa në shtet.
Presioni i madh në 2 vitet e fundit për rikthimin e basteve detyroi kryeministrin Rama të shkelte mbi premtimin e tij ndaj familjeve shqiptare. Thyerja e një premtimi nuk është diçka e re për kryeministrin, por mënyra se si u rikthyen lojërat e fatit do të mbetet një njollë e zezë për këtë qeveri.
Prej gati 1 viti u tentua të krijohej një ligj që do të rikthente bastet sportive, por këtë herë me një mbikëqyrje më të fortë nga shteti. Ligji u shkrua dhe ndryshoi disa herë, teksa u shoqërua me debate të forta në Komisionet Parlementare, ku socialisti Erjon Braçe ishte një nga kundërshtuesit kryesorë.
Por me sa duket, për qeverinë interesi i bosëve të kumarit është më i rëndësishëm se interesat e familjeve shqiptare, shumë prej të cilave që janë shkatërruar nga lojërat e fatit. Gjatë ndryshimeve që pësoi ligji nëpër Komisione, pothuajse të gjitha ishin në favor të biznesmenëve që do të aplikojnë për licenca.
Qeveria u detyrua të heqë disa pika të ligjit të cilat kishin të bënin me fitimet që do të merrte shteti, duke iu lënë sërish një pjesë hsumë të madhe fitimi kompanive, fitime që do të dalin nga xhepat e familjeve shqiptare, në një kohë kur varfëria, papunësia dhe emigrimi vijojnë të rriten.
Dorëzimi para “bosëve të kumarit” është një lajm i keq për qytetarët shqiptarë, që shohin se si qeveria hedh poshtë interesta e tyre, por edhe një tregues se kjo qeveri nuk e ka problem të përballet me çdo skandal, duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Shqipëria do të vijojë të pasurojë të pasurit, të varfërojë të varfrit dhe të largojë rininë, për sa kohë ligjet bëhen për të favorizuar grupe të vegjël njerëzish, në kurriz të 95% të popullsisë.