Një 67 vjeçar në Gjirokastër është lënë në masën “arrest me burg”, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me tre të mitur.
Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Shkallës së Parë të Gjirokastrës kanë zbuluar se i dyshuari ka abuzuar seksualisht me tre viktima të mitur.
Ngjarja ka dalë në dritë pas kallëzimit të një prej viktimave, çka ka çuar në një hetim të gjerë dhe zbardhjen e rrethanave të krimit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u caktua masa e sigurisë “Arrest në burg” për personin nën hetim V.S., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përfshirja në marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100/4 i Kodit Penal.
Më datë 06.03.2026, mbi bazën e kallëzimit penal të viktimës së mitur të veprës penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, regjistroi procedimin penal nr.111/2026, për veprën penale “Përfshirja në marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100/4 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore, në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, u ngrit një grup hetimor dhe u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku në vijim të kryerjes së veprimeve hetimore u identifikuan dhe dy shtetas të mitur të tjerë, në cilësinë e viktimës së veprës penale të parashikuar nga neni 100/4 i Kodit Penal, me autor të dyshuar shtetasin V.S., 67 vjeç.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh gatishmërinë dhe garanton një angazhim maksimal, për një hetim të menjëhershëm dhe me prioritet për çdo kallëzim penal me viktimë të veprës penale shtetas të mitur.