Makina përplaset me turmën në Gjermani, dy të vdekur dhe 25 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjermani ku një makinë është futur mes turmës duke lënë të vdekur dy persona ndërsa 25 të tjerë janë plagosur. Sulmi ndodhi në Mannheim ndërsa drejtuesi i mjetit është arrestuar nga autoritetet gjermane.

Sa i takon të plagosurve, raportohet se 15 prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.

Dëshmitë e qytetarëve kanë treguar momentet kur njerëzit vraponin në panik pasi makina goditi këmbësorët. Të gjitha rrugët dhe urat që çojnë jashtë qytetit po monitorohen nga policia.

Gjermania është tronditur nga një varg sulmesh vdekjeprurëse të përplasjes me makina në muajt e fundit.

Në dhjetor, një automjet hyri në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë një djalë 9-vjeçar. I dyshuari është një shtetas saudit 50-vjeçar, i cili kishte jetuar në Gjermani për më shumë se një dekadë dhe punonte për të ndihmuar sauditët të largoheshin nga vendi i tij. Postimet në mediat sociale treguan se ai ishte një kritik i zjarrtë i Islamit.

Në shkurt, një person futi një Mini Cooper mbi demonstruesit në Mynih, duke vrarë një nënë dhe fëmijën e saj dhe duke plagosur më shumë se 30 të tjerë. I dyshuari është një afgan 24-vjeçar.

Ky sulm erdhi në prag të Konferencës së Sigurisë së Mynihut dhe vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve federale të vendit, ku shqetësimet mbi emigracionin dhe sigurinë ndihmuan që partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të vinte në vendin e dytë.

Sulmi i së hënës vjen ndërsa Gjermania feston “Të hënën e trëndafilit”, një karnaval i mbajtur përpara të mërkurës së hirit, fillimit të Kreshmës.