“Mafia shqiptare punon për Ndrangheta-n”, Drejtori i Antimafias italiane vizitë dy ditore në Shqipëri

Drejtori i Antimafias italiane, Maurizio Vallone ka mbërritur të martën në Shqipëri për një vizitë dy ditore. Aktualisht ai ndodhet në ambientet e Byrosë Kombëtare të Hetimit në një takim me shefen e BKH-së Aida Hajnaj. Burime bëjnë me dije se Vallone dhe Hajnaj do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, mes dy institucioneve që ata drejtojnë.

Kujtojmë se shefi i Antimafias italiane ka bërë vazhdimisht  deklarata të forta sa i përket fuqizimit të grupeve kriminale shqiptare në Itali dhe Europë. Ai tha se mafia shqiptare është sofistikuar dhe është bërë e pakontrollueshme. “Mafia shqiptare është më e fuqishme ndër mafiat e huaja të pranishme në Itali. Ka eskluzivitetin e partneritetit me mafian kalabreze Ndrangheta në trafikun e kokainës” do të deklaronte Vellano. Më herët ai do ta konsideronte mafian shqiptare si të lidhur ngusht me këtë organizatë të fuqishme kriminale në vendin fqinj.

 “Mafia shqiptare punon për mafien kalabreze “Ndrangheta”. Mafia shqiptare ka marrë në nënkontraktim nga mafia kalabreze menaxhimin e trafikut të drogës”, shprehej ai.

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, përfshirë Antimafian, teksa kjo e fundit ka asistuar edhe në trajnimin e agjentëve të BKH-së që nga krijimi i kësaj strukture.