Lumenjtë humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave

Dy nga gjashtë basenet kryesore lumore në vend u klasifikuan në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave sipërfaqësore gjatë vitit 2025, ndërsa një tjetër shënoi përkeqësim krahasuar me një vit më parë. Këto janë konkluzionet e Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Basenet Ishëm-Erzen dhe Seman renditen në kategorinë “Gjendje e keqe”, ndërsa Shkumbini ka kaluar nga “Gjendje e mirë” në “Gjendje e moderuar”, duke reflektuar ndikimin e vazhdueshëm të shkarkimeve urbane të patrajtuara, aktivitetit industrial dhe presionit nga bujqësia.

Raporti vëren se cilësia e ujërave mbetet përgjithësisht e mirë në burimet dhe rrjedhat e sipërme të lumenjve, por përkeqësohet ndjeshëm në segmentet që kalojnë pranë qendrave të banuara. Sipas AKM-së, ndikimi i shkarkimeve urbane, industriale dhe bujqësore mbetet faktori kryesor që ul klasifikimin e shumë stacioneve të monitorimit.

Përkeqësimi më i theksuar evidentohet në basenin Ishëm-Erzen, i cili klasifikohet në Klasën V – Gjendje e keqe. Raporti identifikon si segmentet më problematike Lumin e Tiranës në stacionet Ura e Kamzës,

Lanabregas dhe Yrshek, si edhe Lumin Ishëm dhe Erzenin në Urën e Beshirit. Në këto pika monitorimi regjistrohen vlera të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen (NBO5), amoniakut dhe lëndëve ushqyese, tregues që sinjalizojnë ndotje të konsiderueshme nga shkarkimet urbane të patrajtuara. Vetë raporti thekson se “afër zonave të banuara impakti i shkarkimeve urbane të cilat derdhen direkt të patrajtuara sjell klasifikim me një ndotje të lartë”.

Edhe baseni i Semanit rezulton në Klasën V – Gjendje e keqe, duke u përkeqësuar krahasuar me vitin 2024, kur ishte klasifikuar në Klasën IV – Gjendje e varfër. Raporti lidh këtë rezultat kryesisht me gjendjen e lumit Gjanica në stacionin Ura e qytetit Fier, ku ndikimi i shkarkimeve urbane dhe industriale shoqërohet me nivele të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen, amoniakut dhe ortofosfateve, tregues të ndotjes së rënduar të ujërave.

Ndërkohë, Shkumbini shënoi përkeqësim gjatë vitit 2025, duke kaluar nga Klasa II – Gjendje e mirë në Klasën III – Gjendje e moderuar. Sipas raportit, ky ndryshim lidhet me përkeqësimin e disa treguesve të cilësisë, megjithëse pjesa më e madhe e parametrave vazhdon të mbetet brenda kufijve të lejuar.

Në anën tjetër, Vjosa dhe Drini vijojnë të ruajnë gjendjen më të mirë mjedisore ndër basenet e monitoruara. Raporti i klasifikon të dy në Klasën II – Gjendje e mirë, me tregues fizikë, kimikë dhe biologjikë që mbeten brenda standardeve të përcaktuara nga Direktivës Kuadër të Bashkimit Evropian për Ujin.

Gjetjet e raportit tregojnë se ndarja mes lumenjve të ruajtur dhe atyre që kalojnë pranë zonave të urbanizuara po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Ndërsa segmentet malore vijojnë të ruajnë cilësi të mirë të ujit, presioni nga shkarkimet e patrajtuara dhe aktivitetet ekonomike po rëndon gjendjen e disa prej baseneve më të mëdha të vendit, duke i larguar ato nga objektivat e kërkuara për arritjen e një statusi të mirë ekologjik. Monitor