Luhet akti i fundit, Këshilli i Ministrave mblidhet sot për “vulosjen” e shkarkimit të Erion Veliajt

Këshilli i Ministrave pritet të marrë sot vendimin përfundimtar për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një mbledhje të parashikuar për në orën 12:00.

Vendimi vjen një ditë pasi Prefekti i Qarkut Tiranë njoftoi zyrtarisht qeverinë për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak, i cili vendosi me 50 vota pro largimin e Veliajt.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua pasditen e së martës dhe bashkoi në një propozim të përbashkët kërkesat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe grupit të Endri Shabanit.

Ky zhvillim shënoi një konsensus politik për largimin e Veliajt, i cili ndodhet në burg që prej 10 shkurtit, ndërsa ndaj tij janë ngritur pesë vepra penale nga SPAK, përfshirë 9 raste korrupsioni.

Pavarësisht votimit të Këshillit Bashkiak, Veliaj sinjalizuar mundësinë e një ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Sipas nenit 115 të Kushtetutës, një ankim i tillë do të pezullonte vendimin e qeverisë, duke bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Tiranës.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se nuk ka kthim pas.

Në një takim të zhvilluar një ditë më parë me ministrat dhe deputetët e Tiranës, ai shprehu mbështetje të plotë për Ogerta Manastirliun, e cila pritet të jetë kandidatja e PS-së në zgjedhjet e ardhshme për kryeqytetin.

Më herët dje, kryeministri zhvilloi një takim mbi dy orë në Kryeministri me drejtuesit aktualë të Bashkisë së Tiranës, përfshirë nënkryetarët, kryetaren e komanduar Anuela Ristani, si dhe me Ogerta Manastirliun.

Erion Veliaj ka drejtuar Bashkinë e Tiranës për dy mandate e gjysmë, që prej vitit 2015, ndërsa tani përballet me një proces gjyqësor që mund të shënojë fundin e karrierës së tij politike.