Loja me dosjet e Sigurimit, akoma sekret dhe të mbyllura për deputetët

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje punën njëvjeçare të Autoritetit të Dosjeve duke zbuluar së dosjet e deputetëve dhe ish deputetëtve jo vetëm që nuk janë hapur, por janë ende sekret.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula u pyet direkt në Komision në lidhje me verifikimin ndaj Ilir Metës. Sula tha se ka sjellë një raport me vetë të kryer nga ish komisionet e mëparshme Mezini dhe Bezhani, por që është sekret dhe vetëm deputetët me certifikatë sigurie mund ta shihnin. Ajo nuk iu përgjigj direkt pyetjes për Ilir Metën.

Me pak fjalë, pavarësisht ndryshimit të ligjit për hapjen e dosjeve me amendamentin e Enkelejd Alibeaj, asgjë nuk ka ndryshuar në hapjen reale të tyre. Kuvendi i Shqipërisë do i kërkojë zyrtarisht Autoritetit që 1300 deputetë dhe ish deputetë nga 1991 të verifikohen për pastërtinë e figurës.

Por vetë deputetët pranuan se kjo është një kërkesë utopike dhe e parealizueshme.

Loja me dosjet e ish Sigurimit vijon ende në Shqipëri ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rënia e komunizmit.