‘Liri për Çlirimtarët’, Vjosa Osmani niset drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës për ish-krerët e UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është nisur drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në protestën që do të mbahet sot në Tiranë orën 17:00 në sheshin “Skënderbej” për ish-kreret e UÇK-së.

Eskorta shoqëruese e Osmanit është filmuar duke kaluar kufirin, së bashku me shumë automjete të tjera që janë nisur nga Kosova për t’ju bashkuar kësaj proteste.

Ndërkohë kryemninistri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në këtë tubim, ashtu si kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Një ditë më parë, Kurti akuzoi kryeministrin shqiptar se ka qenë lobuesi më i madh i Gjykatës Speciale, që sot mban në burg ish-liderët e UÇK-së.

Protestës do i bashkohen edhe figura të rëndësishme si kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.

Nën moton “Liria ka emër”, këtë të premte në Tiranë do të zhvillohet protesta e tretë e organizuar nga veteranët e UÇK-së, që pritet të mbledhë dhjetëra mijëra shqiptarë në kryeqytetin e Shqipërisë.

Kujtojmë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.