Lapaj kërkesë KQZ-së: Kandidatët hoqën dorë, çdo ndryshim në qëndrimin e tyre është i pavlefshëm

Adriatik Lapaj i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me atë se çfarë po ndodh për mandatin e vetëm që Nisma Shqipëria Bëhet fitoi në zgjedhjet e 11 Majit.

Ai i ka kërkuar KQZ-së që të mos revokojë dorëheqjet që kandidatët e listës së mbyllur kanë bërë, pasi janë bërë përpara numërimit të votave, çfarë do të thotë se ata kanë hequr dorë nga kandidimi dhe jo nga mandati.

Sipas tij, çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë – dorëheqja nga kandidimi.

Kujtojmë se deri më tani janë dy kandidatë nga lista e mbyllur që kanë kërkuar revokimin e dorëheqjes së tyre. Ata janë Zeqir Kordhoni dhe Kleana Xhuveli.

Letra e Lapajt:

I nderuar z. Komisioner,

Nisma “Shqipëria Bëhet”, me Vendimin nr. 237, datë 04.03.2025, është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si koalicion për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025, me z. Adriatik Llapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.

Ky koalicion ka marrë 16,520 vota në Qarkun Tiranë, duke fituar një (1) mandat përfaqësimi.
Ju bëjmë me dije se kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të hiqesh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.

Çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë – dorëheqja nga kandidimi.

Në kuptimin juridik, dorëheqja sjell pasoja të menjëhershme në momentin e paraqitjes së saj.
Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt personal dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë mënyrë, edhe nëse emrat ndodhen në lista zgjedhore, dhe veprimtaria e mëvonshme është bërë pas një njoftimi të mëvonshëm, nuk mund të quhen më pjesë e garës zgjedhore.

Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati t’i kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këto arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur.