Familjarë, miq, politika, personalitete të artit dhe kulturës i dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji ndërsa zhvilluan homazhe në nderim të tij në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe vijuan për 2 orë e gjysmë ndërsa në hyrje të Universitetit u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama. Pas homazheve, trupi i tij është nisur drejt banesës së fundit ku gazetari dhe publicist i njohur do të prehet, në varrezat e Tufinës.
Aktori i mirënjohur, Timo Flloko vlerësoi Artur Zhejin jo vetëm arritjet e tij në publicistikë dhe gazetari, por mbi të gjitha në aspektin njerëzor.
“Tur Zheji ishte një personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme, nuk flas në prerjen politike apo si një analist i jashtëzakonshëm, por do të thoja atë që Arturi ishte në artis i madh në shpirt, me një sensibilitet të thellë. Kam patur miqësi të afërt me të, Zoti e rrëmbeu nga ne, iku shumë shpejt. Dhimbja është e madhe”, theksoi aktori.
Aktorja Rajmonda Bulku tha se Zheji luftoi gjithë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë ndërsa elokuenca e tij ishte e jashtëzakonshme.
Lindi nga dy prindër me shpirt të lirë, nga atdhetarë, nga një artiste të mrekullueshe Besa Imami dhe Petro Zheji, mendje ndritur, i njerëzve të shquar shqiptarë. Lindi i lirë nga këta të dy, lindi i mençur, i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë, të mençur. Elokuenca e tij ishte e jashtëzanshme dhe e pakrahasuar”, tha ajo.
Artur Zheji ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonte ditëlindjen e të birit.
Zheji ka dhënë një kontribut të vyer në mediat shqiptare si gazetar, analist dhe drejtues emisionesh televizive, përfshirë emisionin “360 Gradë”, të cilin e drejtoi deri në korrik 2025.
Ai ishte gjithashtu publicist dhe kishte mbajtur role të rëndësishme drejtuese në media. Gazetari Artur Zheji ishte djali i përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Petro Zheji dhe aktores Besa Imami.