PS shpërblen oligarkët në prag fushate/ Zero tatim për hotelet e luksit, shtyhen afatet për investimet strategjike

Në një seancë e cila zgjati deri pas mesnate, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar disa projektligje, mes tyre zgjatjen e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje. Teksa vendi është në prag fushate, socialistët kanë menduar që vetëm me votat e tyre të votojnë projektligje që favorizojnë oligarkët dhe biznesmenët e fuqishëm në vend, të cilët janë pranë qeverisë.

Me përjashtim të deputetëve Erjon Braçe, Pandeli Majko dhe Petro Koçi të cilët abstenuan, ligjvënësit socialistë votuan për heqjen e tatimit për hotelet luksoze dhe njëkohësisht shtyrjen e afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik. Sipas ndryshimeve, aplikuesit kanë afat deri në dhjetor 2026.

PS ka vendosur që në prag fushate të shpërblejë oligakarkët në një votim që është zhvilluar pas mesnate.

Lidhur me zgjatjen e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje, sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme. Por përmes projektligjit të miratuar në Kuvend ky afat të zgjatet edhe me dy vite, deri në vitin 2026. Kjo do të thotë se subjektet që marrin statusin special nga qeveria në dy vitet e ardhshme përjashtohen nga tatim fitimi në dhjetë vitet e ardhshme.

Mes të tjerash në seancën e djeshme u miratuan edhe ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Bonusi do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt teksa vendi ynë në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Bonusi në shumat 50 mijë lekë për pensione mbi 200 mijë lekë dhe 100 mijë për pensionet nën 200 mijë lekë do të shpërndahet duke filluar nga muaji shkurt.