Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se kryeparlamentari Niko Peleshi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Mandateve USB-në me provat e SPAK për Belinda Ballukun.
Në reagim, Kuvendi thotë se materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar dhe do diskutohet në prani të prokurorit në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Reagimi:
Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.
Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.
Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.
Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes. Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit.
Pas përgjigjes së Kuvendit, pati edhe një reagim nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili thotë se korrupsioni nuk mund të futet në kasafortë.
Ai kërkoi që materialet t’u vendosen në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve, së bashku me provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.
Reagimi i Bardhit:
Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!
SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për tia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje.
Për të zbatuar ligjin ska nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.