Kryeministri Edi Rama ka folur sot për satelitët “Albania 1″ dhe Albania 2” të cilat i kushtuan shqiptarëve 6 milion dollarë, për një kohëzgjatje prej tre vitesh. Rama tha se ata kanë kapur imazhe shumë të rëndësishme, duke shtuar se me ato arrihet të evidentohen përmbytjet, apo dhe parcela me kanabis.
Por Rama tha se satelitët e kanë patur të vështirë punën për shkak se qielli në vendin tonë nuk ishte i pastër. Reshjet e shumta të shiut dhe retë në qiell e kanë vështirësuar punën e dy satelitëve të cilët e kishin të pamundur për të filmuar territorin e vendit tonë, kurse Rama pohoi se kompania i ka ofruar “zgjidhje” duke i dhuruar Shqipërisë edhe 8 satelitë të tjerë ndihmës për të filmuar territorin poshtë reve.
“Siç e patë deri më 21 qershor janë mbledhur imazhe të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë. Duke pasur parasysh se ka qenë periudha më e bukur për gjelbërimin. E keni vënë re se bimësia ka një entuziasëm të madh që se kishim parë prej kohësh si rezultat i shirave, por qielli i mbuluar e ka vështirësuar punën. Falë këmbënguljes së zv.kryeministres Balluku, adaptuesit e kërkesës, u shtuan edhe 8 satelitë të tjerë nga kompania, pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe që kishte mundësi që të lexohej territori,”-tha Edi Rama.