Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Adriana Kalasë, nuk kalon në seancë zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Gjykata Kushtetuese vendosi të mos kalojë në seancë plenare çështjen për mënyrën si u zgjodh Avokati i Popullit.

Vendimi ka të bëjë me kërkesën e Adriana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si të paligjshëm të procedurës së zgjedhjes së Shabanit në krye të këtij institucioni, çështje që shkaktoi debat mes palëve politike.

Endri Shabani u zgjodh mes debateve Avokat i Popullit në seancën e 11 dhjetorit, me 85 vota pro të deputetëve të PS-së dhe PSD-së dhe tre kundër. Ndërsa Partia Demokratike dhe Partia Mundësia nuk morën pjesë në votim.

Debati prej tre orësh në Kuvend u fokusua pothuajse tërësisht tek akuzat drejtuar mazhorancës për një marrëveshje të fshehtë në favor të Endri Shabanit, një kandidature që kishte marrë paraprakisht mbështetjen e më shumë se gjysmës së deputetëve opozitarë.

Ndërkohë Shabani u betua në seancën e 18 dhjetorit, mes tensioneve që u krijuan në sallë, ndërsa në fund dha edhe një puthje në distancë për opozitën.