Kush është Mond Çekiçi, para se të vritej ndikoi që Jurgis Çyrbja të futej në listën e sigurt për deputet

Bisedat e zbërthyera nga SPAK në aplikacionin “SKY” tregojnë më së miri lidhjen e pushtetit me krimin e organizuar, siç ka ndodhur në rastin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Këto biseda kanë nxjerrë emrin e një personazhi të njohur të krimit, Edmond Koçi, i njohur ndryshe si “Mond Çekiçi”. Ai u ekzekutua në Mars të vitit 2021 me armë zjarri në një atentat të përgatitur mirë nga kundërshtarët e tij.

Sipas dosjes hetimore, Mond Çekiçi dhe Plaurent Dervishaj, kanë biseda mes njëri-tjetrit për ta futur Çyrbjan në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, të tretin dhe jo të pestin siç ishte parashikuar.

Lexo edhe: SKANDALI/ Jurgis Çyrbja u fut në listën e sigurt të PS-së pasi ndihmoi të shumëkërkuarin Altin Hajri! E mbajti në shtëpinë e tij, çfarë zbuluan përgjimet

Por kush ishte Mond Çekiçi?

Edmond Koçi, ish-anëtar i bandës së Durrësit dhe i njohur si një nga figurat më të rrezikshme të këtij klani kriminal, u vra më 20 mars 2021 në një atentat me armë zjarri. Autorët, të maskuar me veshje ushtarake, pritën Koçin në rrugë dhe e ekzekutuan me breshëri automatike brenda 20-30 sekondave. Makina e përdorur në atentat, një “Benz” i zi, bllokoi rrugën duke parandaluar çdo arratisje të mundshme nga viktima.

Mond Çekiçi kishte një histori të gjatë me dhe ishte dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Në maj të vitit 2009, ai u dënua me dy vite burg për mbajtje të armëve pa leje. Megjithatë, në shtator 2020, ai u arrestua sërish për të njëjtën akuzë, por u lirua me masën e arrestit në shtëpi nën pretekstin e përkeqësimit të shëndetit për shkak të pandemisë COVID-19.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Durrësit për arrest shtëpie, Koçi nuk respektoi masën dhe qarkullonte lirshëm në qytet deri në momentin e atentatit fatal në mars 2021.