Kush e vrau Presidentin Kenedi 60 vite më parë? Misteri i hetimeve të pambyllura ende  

Që nga momenti kur moderatori i famshëm i CBS News Uollter Kronkit uli syzet më 22 nëntor 1963 dhe i tha publikut se kishte vdekur presidenti amerikan Xhon F.Kenedi, e njëjta pyetje ka bërë jehonë në mendjet e shumë njerëzve: Kush e vrau presidentin?

Më pak se një 1 vit më vonë, Komisioni Uorren i paraqiti publikut përgjigjen e tij përfundimtare: Li Harvi Osvald. Sipas komisionit, Osvald e kishte vrarë presidentin me një pushkë Mannlicher-Carcano nga kati i gjashtë i Magazinës së Librave Shkollorë në Dallas.

Komisioni Uorren theksoi se Osvald kishte vepruar i vetëm. Por përfundimi i tij nuk i kënaqi të gjithë. Gjatë dekadave që pasuan janë shfaqur teori të tjera. Teoricienët e konspiracionit kanë identifikuar grupe dhe individë që kishin një interes të madh për të hequr qafe presidentin Kenedi.

Ndaj jo pak njerëz janë të bindur se Osvald nuk veproi i vetëm. Menjëherë pas vrasjes së Kenedit, policia e Nju Orlinsit mori një telefonatë alarmante nga detektivi privat Xhek Martin. Ai tha se dikush që ai njihte me emrin Dejvid Ferri mund të kishte luajtur një rol në vdekjen e presidentit.

Martin pretendoi se Ferri e njihte atentatorin e supozuar të Kenedit, Li Harvi Oswald që nga koha e tyre në Patrullën Ajrore Civile, dhe se ai supozohej të ishte njeriu që do të largonte Osvald nga vendngjarja. Ferri cilësohej si një njeri i çuditshëm nga shumica e atyre që e njihnin.

Për shkak të sëmundjes së alopecisë, ai mbante paruke dhe lyente vetullat. Dhe ai nuk druhej të shprehte mendimet e tij politike. Kur FBI e mori në pyetje ditë pas vrasjes së presidentit, Ferri e pranoi se ai ishte zemëruar nga mungesa e mbështetjes së Kenedit për rebelët kubanë gjatë pushtimit të Gjirit të Derrave (operacion që synonte të rrëzonte liderin kuban Fidel Kastro).

Madje Ferri tha se Kenedi duhej të eleminohej. Por ai gjithashtu këmbënguli se më 22 nëntor 1963 kishte qenë në Nju Orlins të Hjustonit dhe jo në Dallas të Teksasit. Alibia e tij u vërtetua dhe FBI-ja e la të lirë.

Historia mund të kishte përfunduar këtu, por Prokurori i Qarkut të Nju Orlins Xhim Garrison nisi hetimet e tij mbi atentatin. Dhe ai filloi ta konsideronte Ferrin si një nga të dyshuarit kryesorë.

“Ne zbuluam lidhje mes Dejvid Ferri, Li Osvald dhe Xhek Rubit (që 2 ditë pas atentatit qëlloi për vdekje Osvald). Ne zbuluam ekzistencën e një komploti të mirë-organizuar për të vrarë Kenedin”- do të deklaronte ai në një intervistë të dhënë disa vite më vonë.

Ferri vdiq më 22 shkurt 1967, pak para se Garrison të planifikonte ta arrestonte. Hetuesit gjetën një shënim që fliste për vetëvrasje, por vetë Garrison shprehu dyshime të forta mbi këtë variant. Por veç Ferrit, Garrison dyshonte edhe mbi Klej Shou, një biznesmen nga Nju Orlins.

Ai pretendonte se Osvald, Ferri dhe Shoi kishin bashkëpunuar për të vrarë presidentin. Por gjyqi i vitit 1969 u etiketuar gjerësisht si një shfaqje publike dhe me tone homofobike. Dihej se Shou ishte homoseksual, dhe Garrison spekuloi në një moment se vrasja e Kenedit ishte një “vrasje emocionuese homoseksuale”.

Në fakt, pjesa më e madhe e gjyqit të Shou u përqendrua tek pantallonat e tij të ngushta dhe 5 kamxhikët prej lëkure që u gjetën në shtëpinë e tij. Për më tepër, në mesin e dëshmitarëve që Garrison thirri në gjyq njëri ishte i varur nga heroina, një tjetër shitës sigurimesh që duhej t’i nënshtrohej hipnozës përpara se të mund të dëshmonte, dhe një burrë që pretendonte se ishte ri-mishërimi i Jul Çezarit, si dhe një burrë që kontrollonte vazhdimisht gjurmët e gishtave të vajzës së tij përpara se ta linte të hynte në shtëpi.

Juria e shfajësoi Klej Shou-n. Por Garrison kishte të drejtë mbi dyshimet e tij se Shou po fshihte diçka. Sepse më vonë u zbulua se Shou ishte në fakt i përfshirë në një organizatë top-sekret të CIA-s të quajtur Shërbimi i Kontaktit të Brendshëm (DCS), në të cilën Shoi raportonte mbi çdo marrëveshje biznesi të dyshimtë në CIA.

Për këtë arsye, Garrison besonte se misteri mbi vrasjen e presidentit fshihej në zyrat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. Ai pretendoi se CIA orkestroi vrasjen e presidentit që ta pengonte atë t’i jepte fund konfliktit në rritje në Vietnam dhe të arrinte paqen me Bashkimin Sovjetik.

“Ne zbuluam një aktivitet të madh sekret që përfshinte CIA-n, elementë të së djathtës paraushtarake dhe grupe militante anti-Kastro në mërgim”- do të pohonte më vonë Garrison.

Ata që e besojnë këtë tezë përmendin tensionet e forta midis presidentit dhe CIA-s pas pushtimit të dështuar në Gjirin e Derrave në vitin 1961.

Ai dështim solli shkarkimin e kreut të CIA-s, Allen Dalles, dhe një burim anonim i tha “The New York Times” se Kenedi ishte aq i zemëruar saqë po mendonte shpërbërjen e saj. Pas vrasjes, edhe vetë vëllai i Kenedit, Robert Kenedi dyshoi mbi CIA-n (edhe pse më vonë ndryshoi mendje).

Madje edhe djali i Robert, njëherazi nipi i ish-presidentit, Robert F.Kenedi Xhunior, vazhdon ende sot që ta mbështesë këtë tezë. “Ka shumë prova se CIA ishte e përfshirë në vrasjen e tij. Kur xhaxhai im ishte president, ai ishte i rrethuar nga një kompleks ushtarak-industrial dhe aparati i inteligjencës që vazhdimisht përpiqej ta detyronte të shkonte në luftë në Laos, Vietnam etj. Por ai nuk pranoi, sepse detyra e presidencës amerikane është ta mbajë kombin jashtë luftës”- deklaroi në një intervistë të këtij viti Robert Kenedi Xhunior, që duhet theksuar është një teoricien i njohur i konspiracioneve mbi shumë ngjarje dhe fusha.

Ndërkohë disa besojnë se vrasësi i Kenedit ishte mafiozi Karlos Marçelo, një nga bosët e krimit në Nju Orlins. Vëllezërit Kenedi, Xhon si president dhe Robert si Prokuror i Përgjithshëm, nisën në vitet 1960 një goditje të paprecedentë ndaj krimit të organizuar.

Robert u fokusua shumë tek Marçelo dhe aktivitetet e tij. Për shkak se ky i fundit nuk ishte një shtetas amerikan – ai kishte lindur në Tunizi nga prindër italianë – Robert arriti të dëbonte Marçelon në Guatemalë në prillin e vitit 1961.

Ndaj që nga ai moment, mafiozi kishte vetëm një gjë në mendje: hakmarrjen. Thuhet se Marçelo u shpreh kështu në shtator 1962: “Mos u shqetëso për atë birin e kurvës. Do të kujdesem unë për të”. Ajo që e bën të besueshme këtë tezë është fakti që Marçelo e njihte Dejvid Ferrin.

Dhe një hetim i ri në vitin 1979, zbuloi lidhjet e Osvald po ashtu edhe të Rubit me familjen apo organizatën kriminale të Marçelo. Në librin “Historia sekrete e vrasjes së Kenedit”, autori Lamar Ualdron shkruan se Marçelo ia rrëfeu krimin në vitet 1980 shokut të qelisë, që ishte njëherazi informatori i FBI-së: “Po, unë e vrava. Jam i kënaqur që e bëra. Më vjen keq vetëm që nuk munda ta bëja vetë”.

Një mafioz tjetër i akuzuar për vrasjen e bujshme ishte Santo Trafikante Xhunior nga Florida. Siç pohoi më vonë Frenk Ragano, avokat i Trafikantes, Marçelo ishte “planifikuesi kryesor”, ndërsa Trafikante siguroi “qitësit”. Ashtu si Marçelo, edhe Trafikante kishte shumë pakënaqësi ndaj vëllezërve Kenedi.

Trafikante ishte i zemëruar që gruaja e tij kishte dalë para një jurie të madhe federale. Ndërkohë ashtu si dhe Dejvid Ferri, edhe ai e urrente Fidel Kastron, dhe madje ishte përpjekur të vriste liderin kuban. Madje, thuhet se Trafikante i tha një informatori të FBI-së përpara vrasjes se “Xhon Kenedi nuk do të arrinte në zgjedhjet e 1964-ës”.

Dyshohet se Trafikante ka bashkëpunuar me CIA-n për të eliminuar Fidel Kastron. Dhe në dëshminë e tij në hetimin e ri parlamentar mbi ngjarjen në vitin 1978, mafiozi pretendoi se kishte punuar me CIA-n për të vrarë liderin kuban, duke thënë: “Mendova se po ndihmoja qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.

Teoritë e tjera e drejtojnë gishtin nga Kuba ose Bashkimi Sovjetik. Kjo sepse SHBA dhe BRSS ishin në prag të luftës bërthamore në tetor 1962 gjatë krizës së raketave. Sovjetikët ranë dakord të hiqnin raketat, nëse SHBA premtonte se nuk do të pushtonte Kubën. Por tensionet midis tyre mbetën të larta ndërsa Lufta e Ftohtë vazhdoi.

Vetë Osvald, vrasësi i supozuar i Kenedit kishte dezertuar në Bashkimin Sovjetik në vitin 1959, ku njohu gruan e tij Marina, dhe ku kaloi 2 vjet e gjysmë atje përpara se të kthehej në SHBA. Në atë kohë, Osvald ishte i zëshëm për mbështetjen e tij për Kubën.

Dhe në shtator 1963, vetëm dy muaj para vrasjes së Kenedit, Osvald shkoi në Meksiko Siti, ku vizitoi ambasadat kubane dhe sovjetike. Gjithsesi të gjitha hetimet e kryera kanë përjashtuar përfshirjen e vende të huaja.

Së fundmi teoria më befasuese është se pas vrasjes së Kenedit qëndronte zëvendësi i tij Lindon Xhonson. Ky i fundit i kishte shumë antipati 2 vëllezërit, ndërsa presidenti nuk u ndje asnjëherë i afërt me të. Për më tepër, thuhet se Xhonson ishte i shqetësuar se Kenedi do ta hiqte atë nga detyra pas zgjedhjeve të vitit 1964.

Në librin e tyre “Njeriut që vrau Kenedin: Rasti kundër Lindon Xhonson”, Majk Kolapietro dhe Roxher Stoun pretendojnë se Riçard Nikson aludoi në një rast për përfshirjen e Xhonson në vrasjen e Kenedit. Sipas tyre Nikson bëri këtë batutë: “Lindon dhe unë donim që të ishim president, por ndryshimi ishte se unë nuk do ta vrisja dikë për ta arritur këtë gjë”.

Marrë me shkurtime: https://allthatsinteresting.com/who-killed-jfk