Kur të “zhvesh” krimi! Politikanët që humbën imunitetin ndër vite, nga Nano te Berisha dhe Ahmetaj

Një ditë më parë, më 14 korrik 2023, Kuvendi i Shqipërisë votoi në shumicë për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Arben Ahmetaj. Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, mazhoranca dhe opozita vendosën kështu t’i heqin imunitetin Arben Ahmetajt për t’i hapur rrugë SPAK për arrestimin e tij. Arben Ahmetaj akuzohet për përfshirje në aferën korruptive me inceneratorët. Ai i shtohet listës së gjatë të politikanëve të nivelit të lartë që i hiqet imuniteti për shkak të hetimeve për korrupsion apo të tjera shkelje të ligjit. Më poshtë sjellim në vëmëndje disa nga politikanët kryesore që kanë humbur imunitetin në 33 vjet, apo ngjarje të rënda si ajo e plagosjes së Azem Hajdarit në sallën e Kuvendit që u pasua me heqjen e imunitetit të autorit dhe më pas arrestimin e tij.

Ilir Meta
Ishte deputet i Partisë Socilaiste, ndër më të rinjtë e atij Kuvendi të vitit 1992. Ilir Meta ishte përfaqësues i FRESSH dhe mjaft aktiv në lëvizjet opozitare të kohës. Vjeshtën e vitit 1992, ai u akuzua nga mazhoranca për “nxitje të revoltave” në Poliçan dhe kuvendi mori vendimin për heqejn e e imunitetit të deputetit më 23 tetor të vitit 1992. Ilir Meta e ka humbur dy herë mandatin e deputetit. Në 11 shkurt të vitit 2011, Kuvendi i hoqi imunitetin e deputetit Ilir Metës, duke i hapur rrugë Prokurorisë së Përgjithshme për ta marrë të pandehur, për veprën penale të korrupsionit, pas publikimit të video-skandalit me Dritan Priftin.

Fatos Nano
Më pak se një vit më pas (1993), mazhoranca demokrate në Kuvendin e Shqipërisë vendosi heqjen e imunitetit të deputetit për liderin e opozitës së kohës, Fatos Nano. Ai akuzohej për abuzime me ndihmat humanitare dhe për këtë, prokuroria kishte nisur hetimet. Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit të Fatos Nanos më 27 korrik 1993.

Arben Lika
Arben Lika ishte ndër deputetët më të rinj të Kuvendit të dalë prej zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992. Ishte deputet i Partisë Demokratike, aktiv në lëvizjet studentore. Ai u akuzua për korrupsion dhe në vitin 1994 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë drejtësisë për hetime.

Gafur Mazreku
Gafur Mazreku ishte një tjetër deputet që humbi imunitetin. Mazreku sulmoi me armë dhe plagosi deputetin Azem Hajdari në Kuvendin e Shqipërisës në shtator 1997. Pak ditë më pas mazhoranca socialiste vendosi heqjen e imunitetit të deputetit për Mazrrekun.

Azem Hajdari
Një incident në Mamurras mes policisë dhe Azem Hajdarit bashkë me simpatizantët e tij, çoi shpejt në heqjen e imunitetit të Azem Hajdarit në shkurt të vitit 1998. Hajdari u akuzua për “nxitje të akteve të dhunshme dhe fyerje të policisë”. Hajdari ndërroi jetë po atë vit, në 12 shtator 1998 dhe ishte pa imunitetin e deputetit.

Sali Berisha
Ish-presidenti Sali Berisha ka humbur imunitetin për pak kohë pasi mazhoranca socialiste e vitit 1998, e akuzoi për përfshirje në ngjarjen e 14 shtatorit, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Prokuroria nisi hetimet por nuk pati asnjë rezultat.

Lulzim Basha
Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha e ka dorëzuar imunitetin e deputetit më vitin 2007 kur u akuzua për korrupsion nga opozita socialiste.

Fatmir Mediu
Kuvendi i Shqipërisë votoi në shumicë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu në vitin 2008. Prokuroria nisi hetimet për shpërthimin e qendrës së çmontimit të fishekëve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Mediu ishte në atë kohë ministër i Mbrojtjes.

Dritan Prifti
Në vitin 2011, Kuvendi vendosi më shumicën e votave heqjen e imunitetit për deputetin Dritan Prifti, pasi akuzohej për shpërdorim detyre në skandalin e përgjimit me Ilir Metën.

Mark Frroku
Frroku e dorëzoi imunitetin e deputetit në vitin 2015, pasi ishte arrestuar si i akuzuar për përfshirje në aktivitet kriminal në të shkuarën e tij.

Koço Kokëdhima
E humbi mandatin e deputetit në vitin 2016. Mazhoranca votoi pro heqjes së imunitetit të tij pasi u akuzua se ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde.

Saimir Tahiri
Mazhoranca socilaiste u vu në provë në vitin 2017 për të votuar heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Ish ministri i Brendshëm akuzohej për përfshirje në grupin kriminal të Habilajve që kishte si aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike. Prokuroria e Krimeve të Rënda (në atë kohë drejtohej nga Adriatik Llalla) i kërkoi Kuvendit heqejn e imunitetit të Saimir Tahirit. Por mazhoranca socialiste e refuzoi kërkesën e prokurorisë duke e votuar me 75 vota kundër heqjes se imunitetit . Pas disa muajve debate e akuzash të ndërsjellta, Tahiri e dorëzoi imunitetin në maj të vitit 2018.

Nikollaq Neranxi
Në listën e deputetëve që humbën imunitetin përfshihen edhe: NIkollaq Neranxi, i akuzuar për korrupsion dhe evazion fiskal në vitin 2008;

Ilir Beqja
Deputeti i PS humbi imunitetin e më pas edhe mandatin në vitin 2011, pasi akuzohej se kishte shkelur Kushtetutën;

Taulant Balla
Balla e humbi imunitetin bashkë me Tom Doshin dhe Besnik Barajn në 2012, pasi akuzoheshin si të përfshirë në ngjarjen e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 qytetarë në Bulevard.

Alqi Bllako

Alqi Bllako humbi imunitetin me 71 vota pro në Kuvend në mars të vitit të kaluar. SPAK kërkoi arrestimin e tij pasi ishte i përfshirë në aferën e inceneratorë si ish sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit. Ai u vendos në një qeli me ish shefin e tij, Lefter Kokën i cili la mandatin vullnetarisht për shkak të së njëjtës çështje.