Kur rinumërimi kthehet në farsë: KAS, dyshimet subjektive dhe loja e partive të mëdha

Në Shqipëri, ku demokracia shpesh mbahet gjallë nga inercia më shumë sesa nga përkushtimi institucional, procesi zgjedhor po degradon në një teatër absurd. Skema është tashmë e njohur: partitë e mëdha shkruajnë skenarin bashkë natën, ndërsa ditën simulojnë përplasje përpara qytetarëve dhe ndërkombëtarëve.

Një nga skenat më të rrezikshme të këtij teatri është përdorimi i institucioneve pseudo-të pavarura, si Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), për qëllime politike dhe legjitimizim të skenarëve të dakordësuar më parë.

Dje, Partia Demokratike paraqiti një tjetër kërkesë për rinumërimin apo rivlerësimin e votave në zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës, duke pretenduar parregullsi, por pa paraqitur asnjë provë konkrete. Në teori, kjo do ishte një e drejtë legjitime në një sistem normal institucional. Por në realitetin shqiptar, edhe kërkesat më serioze zhbëhen nga forma dhe konteksti që i prodhon – një proces i sinkronizuar me aktorët që publikisht shtiren si kundërshtarë, por privatisht janë bashkëpunëtorë të heshtur.

Situata agravon kur dy anëtarë të KAS-it, pa transparencë dhe jashtë çdo kuadri procedural, urdhërojnë rinumërim e rivlerësim votash në të gjithë Qarkun e Tiranës – duke shndërruar nenin 136 të Kodit Zgjedhor, që lejon kërkimin e provave, në një instrument të manipulimit procedural. Ata veprojnë në mënyrë individuale, ndërkohë që neni 138 përcakton qartë që rinumërimi është një akt kolegjial që duhet diskutuar, arsyetuar dhe votuar nga i gjithë KAS-i, bazuar në prova konkrete dhe për vota të caktuara.

Vendime të tilla të marra në mënyrë arbitrare, pa prova të dokumentuara, shkelin sigurinë juridike dhe parimin e barazisë së votës. Kjo praktikë vendos precedent të rrezikshëm që minon integritetin e sistemit zgjedhor dhe zhduk çdo kuptim të transparencës dhe besueshmërisë.

Duhet kuptuar qartë: e drejta për të kërkuar prova nuk barazohet me të drejtën për të rihapur kutitë e votimit. Rinumërimi dhe rivlerësimi i fletëve të votimit nuk është provë, por instrument për të ndryshuar rezultatin, dhe si i tillë, duhet të bazohet në vendimmarrje kolegjiale, të mbështetur në prova konkrete dhe arsyetim ligjor. Thënë pak më shkoqur, dje, dy anëtarët e KAS miratuan ankimin e Partisë Demokratike, për rinumërim dhe rivlerësim të votave në Qarkun e Tiranë, edhe pse kjo është kompetencë unike e KAS si organ kolegjial dhe jo e dy anëtarëve të tij.

Kur kjo bëhet në bazë të bindjeve subjektive të dy individëve, nuk jemi më në fushën e drejtësisë, por në territorin e improvizimit politik.

Kjo situatë përbën një alarm serioz për të gjithë: vëzhgues ndërkombëtarë, shoqëri civile dhe opinion publik. Nëse integriteti i zgjedhjeve mund të preket nga dy individë që veprojnë pa prova, jashtë diskutimit dhe pa mbështetje kolegjiale, atëherë kemi hyrë në një zonë të errët ku standardet ndërkombëtare dhe siguria juridike janë thjesht dekor.