Në një vend normal, kur një ministre kapet me shkelje të rënda, me dyshime për abuzime milionash dhe me tendera të manipuluar, ajo largohet vetë, jep dorëheqjen brenda ditës, pasi ky kjo është një detyrim moral.
Por ky nuk është rasti i Belinda Ballukut, dhe mbi të gjitha, nuk është rasti dhe standardi i Edi Ramës.
Sot, të dy vijojnë të qëndrojnë po ecin me kokën lart, sikur asgjë të mos ketë ndodhur, edhe pse SPAK ka zbuluar abuzime të rënda me tenderat publikë dhe manipulime që do t’i tronditnin themelet e çdo qeverie normale.
Por çfarë bën Rama?
Asgjë! Madje thotë edhe se “Balluku nuk mund të pezullohet”, sikur qeveria është pronë private ku ai vendos kush rri, kush largohet dhe kush mbrohet. Sipas logjikës së Ramës, ministrat nuk preken, edhe kur drejtësia troket në derë me prova dhe akuza të rënda.
Në vend të përgjegjësisë, ai ofron mburojë politike, të shoqëruar me arrogancë në deklarata dhe me sulme ndaj drejtësisë, a thua se e ka fajin drejtësia që Balluku me Berberin grabitën 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Sa i përket Ballukut, ajo nuk ka ndër mend të largohet. Por pse të ikë e të marrë përgjegjësi, kur e di se ka kryeministrin që e mbron? Ajo vazhdon të kapet pas postit pikërisht sepse e di që pushteti është mburoja më e mirë kundër drejtësisë.
Por ndryshe nga ato që deklaron kryeministri për drejtësinë, kjo e fundit u detyrua të ndërhyjë sepse politika refuzoi të bëjë detyrën e saj.
Dorëheqja duhet të vinte nga Balluku, ose shkarkimi i saj i menjëhershëm nga Rama. Asnjëri nuk e bëri, ndaj në gjithë këtë mungesë morali politik, SPAK u bë institucioni i vetëm që mbrojti paratë e shqiptarëve.
Në një shtet normal, drejtësia dhe politika ecin paralelisht. Në Shqipëri, drejtësia po ecën e vetme, sepse politika u dorëzua përballë korrupsionit që vetë ka ushqyer në gjithë këto vite, ku arrestimi i zyrtarëve që kanë grabitur popullin më të varfër në Europë është bërë një rutinë që kalon në heshtje.
Ky rast është një provë e qartë se në majën e pushtetit mungon çdo lloj morali dhe ndershmërie politike. Kemi të bëjmë me dy njerëz të pushtetshëm që kapen pas karriges me çdo kusht, ndërsa vendi përballet me pasojat e korrupsionit të tyre.
Prandaj, kur morali politik varroset, drejtësia është e vetmja që ngrihet në lartësinë që i takon. Dhe kjo ndërhyrje është e domosdoshme, pasi është shpëtimi i parave, dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve.