Fatkeqësisht, ka disa aktorë të mëdhenj që nuk e mësojnë kurrë se sa të dashur dhe të respektuar janë nga publiku, pasi ky respekt u tregohet vetëm pasi ata ndërrojnë jetë.
Fatmirësisht, Mirush Kabashi nuk ishte njëri prej tyre, pasi “Nderi i Kombit” e kuptoi se sa shumë e donin dhe respektonin falë një gafe dhe disa titujve të rremë të mediave.
Ishte Qershori i vitit 2021, kur mediat u mbushën me lajmin e hidhur se aktori i madh Mirush Kabashi kishte ndërruar jetë, pasi prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë. Titujt e ndjerë të mediave u shoqëruan me qindra mijëra komente të qytetarëve, që shprehnin keqardhjen për ndarjen nga jeta të një njeriu të rrallë, që mbushi herë me gëzim dhe herë me lot mallëngjyes sytë e shqiptarëve kudo që ndodhen.
Këto tituj shkuan deri te vetë Mirushi, që në fillim u habit, por më pas kuptoi se sa i dashur ishte për shqiptarët. Gabimin e gazetares që publikoi fillimisht lajmin e fali, teksa në një intervistë, e komentoi kështu “lajmin e hidhur” që mori për veten.
“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën, nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme, sepse thonin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia. Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur. Janë gjëra që ndodhin, jemi në një fushë që jemi bërë njerëz publikë. Është një tërheqje veshi për gazetarët, të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta japin në ekranet e televizionit, të cilët duhet të jenë sa më të sakta, nuk lejohen të tilla gabime, gjithsesi nga ana ime falen”, shprehej aktori i madh.
Sot, lajmi për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit nuk është një gënjeshtër, është një e vërtetë e hidhur, jo vetëm për familjen, por për të gjithë publikun shqiptar që e admiroi dhe e respektoi që nga fillimi i karrierës dhe deri në momentin e fundit.
Sot, Shqipëria ka humbur një nga personazhet më të dashur, më të rrallë dhe një nga njerëzit më të mirë!
Lamtumirë Mjeshtër, na shiko nga lart dhe qesh, sepse fitove dashurinë dhe respektin e një Kombi!