Kush është simboli kombëtar në Shqipëri? Sipas Kodit të Ri Penal: Presidenti Bajram Begaj!
Po, mos u çudisni, pasi në këtë Kod është shkruar e bardha mbi të zezë se mund të tallesh me Flamurin Kombëtar, me Himnin apo me Stemën e Republikës dhe dënohesh me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj, ndërsa po u talle me Presidentin e Republikës, dënohesh deri në 3 vite burgim.
Kjo është “paçavurja” që ka bërë Ministria e Drejtësisë së bashku me Arben Rakipin e një grup që e quajnë veten ekspertë, por që kanë hedhur për diskutim një draft aq keq të formuluar sa nuk po gjen mbështetjen e asnjë prej institucioneve të drejtësisë.
Lexo edhe: “𝐔𝐝𝐡𝐞̈𝐡𝐞𝐪𝐣𝐚” 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐭𝐨𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐦𝐞𝐦𝐞-𝐭, 𝟑 𝐯𝐢𝐭𝐞 𝐛𝐮𝐫𝐠 𝐤𝐮𝐬𝐡 𝐭𝐚𝐥𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐁𝐞𝐠𝐚𝐣𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐐𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐧𝐞̈
Por le të ngelemi te Bajram Begaj, i cili me Kodin e Ri Penal, nëse do të miratohet, do të jetë i “paprekshëm” nga tallja apo përbuzja, pavarësisht se kanë qenë deklaratat apo heshtja e tij që e kanë bërë objekt sulmesh e talljesh në media apo rrjetet sociale.
Nëse pak kohë më parë Begaj e cilësoi veten “sheqer” dhe në rrjet filluan talljet me videon e tij, me Kodin e Ri ai mund ta quajë veten “sherbet” e “bakllava” dhe askush nuk do të mund të guxojë të thotë një fjalë, pasi e pret qelia e burgut.
Por nëse do ta shohim në një tjetër kontekst, Bajram Begaj dhe Flamuri Kombëtar nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Të dy qëndrojnë në Presidencë në pritje që t’i lëvizin, pa bërë asgjë, pavarësisht se njëri prej tyre të ngjall krenari, e tjetri…
Bajram Begaj nuk ka nevojë të mbyllë mandatin për të qenë një nga Presidentët më të dobët që ka patur Shqipëria, pasi e ka treguar në këto 3 vite se detyra e tij e vetme ka qenë të jetë noter i qeverisë, për të dekretuar ligjet, pavarësisht se shumë prej tyre kanë qenë kundër interesit të Shqipërisë e shqiptarëve.
Presidenti heshti për ligjin që detyron studentët e Mjekësisë të punojnë në Shqipëri para se të marrin diplomën, një ligj i stilit komunist, pavarësisht se u premtoi që do e rishikonte.
Nuk foli fare, madje nuk pati as guximin ta dekretojë vetë, por priti që ligji të hynte në fuqi pa firmën e tij.
Por asgjë nga këto s’do të ketë rëndësi nëse Edi Rama vendos që ky Kod i Ri Penal të miratohet pavarësisht kundërshtive, pasi qeveria e tij dhe Bajrami që e zgjodhi vetë, do të kenë një mburojë ligjore si Byroja Komuniste, ku qytetarët mund të dënohen për agjitacion e propagandë.
Ndërkohë, le të vijojmë mendimin se do futemi në Bashkimin Europian, pavarësisht se po kthehemi në periudhën komuniste.
Nuk ka Kod Penal që do të na ndalojë fjalën e lirë, denoncimin e skandaleve apo talljen me qeveri e President sa herë ta meritojnë.