Bashkia e Kukësit ka mbetur pa kryetar, pas shkarkimit të Safet Gjicit për skandalin e videos erotike në zyrën e tij në këtë institucion.
Teksa Partia Demokratike po mendon që të hyjë në zgjedhje me të njëjtin kandidat, doktor Admir Sinamatin, në Partinë Socialiste dilemat janë të mëdha. Vetë Safet Gjici dhe PS e Kukësit kanë kërkuar që kandidati i socialistëve të jetë Granit Gjana, zëvendësi i Gjicit dhe drejtuesi aktual i bashkisë.
Me këtë zgjedhje, Gjici synon që të ketë sërish nën “kthetrat” e tij bashkinë, ndërkohë që kandidimi i Gjanës nuk shihet si zgjidhje nga qytetarët, pasi Gjana ishte një ndër personazhet e videos së Gjicit me Alma Kaçin. Pikërisht Granit Gjana ishte ai që mori në zyrën e tij Almën, pasi kjo e fundit përfundoi aktin seksual dhe më pas bisedën me Safet Gjicin për tenderin e kastrimit dhe sterilizimit të qenve të rrugës.
Në videon e publikuar, Gjana i tregon Alma Kaçit sesi duhet të veprojë që të përfitojë tenderin, me anë të së cilit qentë e rrugës do të përfitonin më shumë lekë për trajtime sesa familjet në nevojë. Por nëse Gjici është në burg për korrupsion, a nuk duhet të ishte edhe Gjana, pjesë e bisedës për tenderin?
Ndërkohë, një grup tjetër socialistësh në Kukës mendojnë që të kandidojnë një grua, si një alternativë më të besueshme për qytetarët. Zgjedhjet në Kukës nuk kanë një datë zyrtare ashtu si Rrogozhina, pasi qeveria ende nuk e ka çuar vakancën e kryebashkiakut të Kukësit në KQZ, duke i dhënë kohë vetes për të zgjedhur kandidatin e duhur. Me këto ritme, zgjedhjet në këtë bashki ka gjasë të zhvillohen në fund të shtatorit.