Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në SPAK. Kjo është hera e dyte që ai paraqitet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas hetimeve që kanë nisur ndaj tij për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Pak ditë më parë në SPAK u paraqit edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila u pyet per rreth tre orë nga prokurorët e Posaçëm.

Kujtojmë se më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH shkuan për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij. Kontrolle pati edhe në qendrën Harabel, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese.

Po ashtu agjentët e BKH kryen kontrolle edhe në banesën e vëllait të Erion Veliajt. Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ndodhej jashtë vendit ditën që SPAK i shkoi në banesë. Në një reagim më datë 10 dhjetor, shkruante se përfaqësuesit e BKH janë paraqitur pranë banesës së tij pa vendim gjykate ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është treguar bashkëpunuese me grupin hetimor duke i shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.

“Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartametit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë.

Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve”- thuhej mes të tjerash në reagim.