Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela prezantoi sot para Kuvendit raportin vjetor për 2022, në institucionin që ai drejton.
Çela tha se ndjekia penale për krimet ka patur efektivitet ndërsa tregoi edhe llojet e çështjeve ku ka patur më shumë hetime.
Në fjalën e tij, kryeprokurori e vendosi theksin edhe tek kriminaliteti ku tha se qarku i Gjirokastrës ka patur përqindjen më të lartë të kriminalitetit, për 100,000 banorë.
Ai tha gjithashtu se disa vepra penale si kultivimi i kanabisit kanë patur tendenca në ulje të procedimeve penale.
Pjesë nga fjala e kryeprokurorit Olsian Çela:
Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit.
Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, efiktiviteti vijon dukshëm i lartë, 91,35 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 8,65 % e çështjeve janë pushuar.
Prokurorët kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive për veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën ose me rritje 3.3% të numrit të këtyre procedimeve krahasuar me vitin 2021. Këto procese kanë çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 58 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.
Janë regjistruar 30 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën të transferuara për kompetencë dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë periudhë.
Për veprat penale prodhimi/shitja dhe kultivimi i narkotikëve, ndjekja penale ka rezultuar efektive.Në këtë grupvepra vetëm vepra penale kultivimi i narkotikëve ka tendencë të ndjeshme në ulje prej 50.8 % e numrit të procedimeve, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte në rritje prej 10.05 %. Tendenca në ulje për këtë vepër penale i përket prokurorisë Shkodër (ku janë regjistruar 12 % e numrit total), me ulje 22 %, si dhe ulje të ndjeshme kanë dhe prokuroritë Vlorë prej 62 %, e Krujë prej 52 %, analizuar kjo dhe me peshën e procedimeve të regjistruara në këto prokurori.
iv) Efektiviteti i ndjekjes penale ka vijuar i lartë lidhur me dhunën në familje. Ndërkohë, procedimet e regjistruara vijojnë në rritje prej 3,3 %, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte më e lartë në rritje prej 12,4 %.
-Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” evidentojnë se: kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra.
“Numrin më të madh të procedimeve e ka të regjistruar Prokuroria e Tiranës, e cila ka në total 33.88% të numrit të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100,000 banorë e ka Qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë Qarku Gjirokastër.Përsa i përket tendencës, rritjen më të lartë e ka Qarku Shkodër me 10.64% rritje, ndërsa Qarku Berat i cili ka koefiçent të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, rezulton me një ulje prej 25% në krahasim me një vit më parë”, u shpreh prokurori.