Kryebashkiaku i Matit pyetet për 1 orë në SPAK, ia fut vrapit pasi del nga Prokuroria e Posaçme

Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme. Ende nuk dihet se përse ai është thirrur nga prokurorët e SPAK, por burime për mediat bëjnë me dije se lidhet me detyrën e tij si kryebashkiak.

Kryebashkiaku socialist ka qëndruar rreth 1 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ndërsa pasi ka dalë është larguar me vrap për shkak të shiut duke mos u ndalur te gazetarët, të cilët ndodheshin jashtë SPAK.

Kujtojmë se Agron Malaj është denoncuar jo pak herë nga Partia Demokratike për abuzimet me tenderat e bashkisë që ai drejton, pasi 4 vite më parë e kishte denoncuar Malajn se e kapte ligji i Dekriminalizimit, por KQZ e rrëzoi.

Agron Malaj ka qenë komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit. Lidhur me hetimet për ngjarjen e rëndë, ditën e djeshme gazetari Artan Hoxha, dorëzoi te prokurorët e posaçëm një audio-përgjim rreth 34 minutash të komunikimeve të efektivëve të Gardës së Republikës në 21 janar 2011, kur ndodhi masakra me 4 të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nuk dihet nëse Malaj është thirrur për këtë çështje apo për shkak të denoncimeve të PD.