Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë ditën e sotme mandatet për qarkun e Tiranës, pas rinumërimit të votave që u bë disa javë më parë.
Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit, Partia Socialiste ka marrë 19 mandate, koalicioni PD-ASHM 13 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat, PSD 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat.
Komisioneri Ilirjan Celibashi ka shpërndarë mandatet për të gjitha partitë veç PSD-së dhe Nisma Shqipëria Bëhet, për të cilat vendimi do të merret pas një pushimi rreth 20 minuta.
PSD ka kërkuar që të djegë listën e mbyllur, çfarë do të thotë se mandati i deputetit do t’i kalojë Tedi Mulajt, i cili ka marrë më shumë vota në listën e hapur.
Më e komplikuar duket situata për mandatin e Nisma Shqipëria Bëhet, pasi kandidatët e listës së mbyllur ishin tërhequr nga kandidimi pas përfundimit të votimit në 11 Maj, por pak javë më parë disa prej tyre kanë kërkuar në KQZ që të revokojnë dorëheqjen.
Tashmë do ta vendosë KQZ nëse mandati do t’i kalojë Ana Dajkos, Kleana Xhuvelit, apo do t’i jepet Adriatik Lapajt si më i votuari i listës së hapur.