KPA shkarkon kreun e Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shkarkuar kryeprokurorin e Lezhës, Erjon Shehaj për shkak të shkeljeve që ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Gjatë seancës, Erjon Shehaj, nuk ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati Julian Mertiri.

Prokurori Erjon Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional, ku dy prej çështjeve të shqyrtuara u transferuan për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Por procesi i rivlerësimit të tij u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh më 4 mars me konkluzionet përfundimtare në çështjen e drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, konfirmimi të cilit u ankimua prej ish-institucionit të Komisionerëve Publikë për probleme në kriterin profesional. Në fillim të seancës, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili ka marrë kompetencat e ish-komisionerëve, paraqiti qëndrimin e tij lidhur me një denoncim të ri, duke u shprehur se nuk gjendeshin shkaqe për të zhvilluar hetime të mëtejshme. Në vijim ai paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke theksuar se u qëndronte të gjithë shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve.

Dumani renditi gjetjet, qëndrimet dhe kërkimet për gjithë çështjet e trajtuara në ankim duke vlerësuar se subjekti nuk ka qenë bindës në shpjegimet e tij, e për rrjedhojë nuk ka arritur të kundërshtojë barrat e provës. Ai kërkoi që të gjitha gjetjet për çështjet e shqyrtuara të konsiderohen në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia