KPA e konfirmoi në detyrë, shpërthen në lot prokurorja e Tiranës

Prokurorja e Tiranës Suela Salavaçi ka shpërthyer në lot, teksa u fotografua duke përqafuar një të njohur pasi kaloi edhe shkallën e dytë të vetingut, KPA.

Komisionerja Publike, Irena Nino, kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë që mbante në detyrë Salavaçin, por Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi të mbante në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Salavaçi u konfirmua nga Komisioni më 28 shtator 2023 me shumicë votash, pasi u përball me barrat e provës për pasurinë, që kishin të bënin kryesisht me bilancet negative të prindërve për disa pasuri që i kishin dhuruar, si dhe me pamundësitë e konstatuara në vite për investimet dhe shpenzimet e kryera prej saj dhe të bashkëshortit. Kryesuesja e trupës së KPK, Alma Faskaj dhe anëtarja Suela Zhegu vlerësuan se subjekti kishte mundur të shpjegonte bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, ndërsa anëtarja Etleda Çiftja në pakicë, arsyetoi se Salavaçi duhej të ishte shkarkuar, pasi nuk arriti të provonte ligjshmërinë e pasurisë dhe rezulton me bilanc negativ.