Kosova shpalli dy organizata terroriste në veri, DASH: Qeveria duhet të ishte koordinuar me partnerët ndërkombëtarë

Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Por një zyrtar amerikan ka thënë mbrëmë për “Zëri i Amerikës” se qeveria Kurti duhet të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës.

“Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papranushem dhe e dënojnë dhunën kundër trupave të KFOR-it, si dhe kërkojnë nxjerrjen para përgjegjësisë, në bazë të një procesi të drejtë ligjor dhe transparent të autorëve të dhunës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe.