Kreu i SPAK Altin Dumani në raportimin që dha sot në Komisionin e Ligjeve deklaroi se shqetësimi i tij në drejtësi janë gjyqtarët dhe prokurorët që kaluan vettingun.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Fatmir Xhafaj për luftën e korrupsionit në drejtësi, në komisionin e ligjeve dhe sigurisë kombëtare, Dumani theksoi se është utopi “të pranojmë që ata që kaluan vetingun nuk do të korruptohen”. Sipas tij mund të ndeshemi me persona me natyrë korruptive.
“Jam i shqetësuar me ata që kanë kaluar vetingun dhe vazhdojnë të jenë në sistem që mund të ndeshemi para me persona me natyrë korruptive. Ky është shqetësimi im më i madh. Këtu jemi të vëmendshëm edhe nga media e shoqëria civile e politika kur ka denoncime ne mbajmë shënime, bëjmë vlerësimet tona paraprake, nuk bëjmë regjistrim procedimi penal ia nënshtrojmë një procesi filtrimi krijohet baza e të dhënave pastaj regjistrohet procedimi penal. Ne vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë. Jemi shumë të vëmendshëm në këtë drejtim. Koha do ta tregojë. I kemi në vëmendje, më shumë më shqetëson kjo kategoria tjetër”.
Ai theksoi se të gjithë janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike kur të vijë koha çështjet penale në hetim.
“Duhet të pranojmë që kaluan vetingun dhe nuk do të korruptohen prokurorë e gjyqtarë, kjo është utopi. Janë të ekspozuar. Jemi të ekspozuar të gjithë. Në Jemi të vëmendshëm dhe ne si institucion do të kemi çështje penale që do të hetojmë kur të vijë koha do t’i bëjmë publike dhe t’i raportojmë vitin që vjen”.
Sa i përket SPAK-ut, Dumani theksoi se është një proces vetingu brenda këtij institucioni, një “kambanë alarmi brenda vetes sonë” e cilësoi ai.
“Sa i takon brenda SPAK, unë jam i vëmendshëm, kemi dhe një proces vetingu brenda institucionit që janë vetuar 60 veta. Një tjetër është larguar nga detyra. Kemi 9 të dorëhequr për shkak të vetingut, por jemi me kambanë alarmi edhe brenda vetes tonë”.