Partia Mundësia ka mbajtur sot Konventën e partisë në Breshia, me shqiptarët që jetojnë në Itali. Në një sallë të mbushur me mbi 2000 emigrantë shqiptarë, kreu i “Mundësisë”, Agron Shehaj, ka treguar se ai është një prej tyre, që mbërriti në Itali shumë i vogël së bashku me prindërit, me ëndrrën e tyre për t’u kthyer një ditë në Shqipëri.
“Unë jam një prej jush!” Kështu nisi fjalimi i Shehajt, që tregoi se kishte shkuar në Itali pa e njohur gjuhën dhe vetëm me ëndrrat e tij, teksa jeta e përballi me shumë vështirësi, ashtu si çdo emigrant që ka lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë.
“E kujtoj si sot ditën kur shkova për herë të parë në shkollë, ku nuk njihja askënd, nuk kisha asnjë shok, kur ndihesha i huaj, kur në universitet punoja dhe studioja njëkohësisht për të mos rënduar familjen time. Dhe më pas, kur u diplomova, pashë gëzimin dhe krenarinë në sytë e prindërve të mi, kur kuptuan që sakrificat e tyre nuk kishin shkuar dëm!
Por shkollimi ishte vetëm fillimi. Sfida e vërtetë filloi kur vendosa të krijoj një sipërmarrje. Ishte ëndrra ime. Si shumë prej jush, me shumë vështirësi, me punë dhe me këmbëngulje ia dola. Arrita atë që dëshiroja.
Kjo është historia ime. Por kjo është edhe historia juaj! Histori mundi, sakrifice, suksesi! Sepse shqiptarët nuk dorëzohen! Sepse shqiptarët janë të zotët! Sepse, kur i jepet mundësia, shqiptarët janë të jashtëzakonshëm”, tha Shehaj ndër të tjera.
Ai tregoi se pavarësisht se ëndrra e prindërve të tij ishte të riktheheshin në Shqipëri, nuk mundën, për shumë arsye, por ëndrrën e tyre kishte vendosur ta bënte vetë realitet, duke u kthyer me qëllimin të ndërtojë një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
Më pas, Shehaj u ndal te problemet që ka Shqipëria, ku keqqeverisja është shkaktarja kryesore e varfërisë së shqiptarëve, që jetojnë në një vend me burime të shumta, por që janë kaur vetëm nga një grup njerëzish.
“Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë me ju: ata që kanë qeverisur Shqipërinë deri tani kanë dështuar!
Dështuan sepse menduan vetëm për veten e tyre! Dështuan sepse vodhën, sepse abuzuan, sepse shitën Shqipërinë për interesa personale! Dështuan sepse nuk kthyen pronën. Nuk dëmshpërblyen të persekutuarit. Nuk kërkuan as ndjesë.
Dështuan sepse nuk kanë dashur asnjëherë që vendi të bëhet si Europa, sepse atëherë do të humbnin pushtetin e tyre të paligjshëm! Ata kanë luftuar për kolltuqet e tyre! Dhe tani është koha që t’i largojmë”, tha Shehaj.
Për Shehajn, vizioni i Mundësisë është i thjesht dhe i qartë: Më pak pushtet për qeverinë dhe më shumë liri për qytetarët.
Ai tha se zgjidhja kalon nëpërmjet rritjes ekonomike ku çdo qytetar të ketë lirinë të punojë dhe të hapë një biznes të tijin pa shumë burokraci, ku të mos mbretërojnë monopolet dhe oligarkët e lidhur me pushtetin.
“Zgjidhja kalon nëpërmjet rritjes ekonomike: më pak shtet, më shumë liri, më shumë para.
Ja çfarë do të bëjmë:
Një qeveri të pakorruptuar, më të vogël, më të thjeshtë, më efikase!
● Më pak burokraci! Më pak zyrtarë të panevojshëm dhe të korruptuar.
● Kushdo që kapet me dorën në thes, do të përfundojë aty ku e ka vendin: para drejtësisë, jo në Parlament!
● Politika nuk mund të jetë vendi ku pasurohen banditët!
Do hapim tregun, do të ketë më shumë mundësi për biznesin dhe për ju!
● Do ta çlirojmë ekonominë nga pushtetarët dhe ortakët e tyre oligarkë.
● Shqipëria do të bëhet parajsa e sipërmarrësve, jo vendi ku biznesi shkatërrohet nga politikanët e korruptuar!
● Do luftojmë dhe do zhdukim monopolet.
Një shtet i vogël, një qeveri e pakorruptuar dhe një ekonomi e hapur do të sjellë:
Më shumë para në xhepat e qytetarëve.
Më shumë para në arken e shtetit.
Më shumë para për shërbimet: shëndetësi, arsim, pensione, ndihmë sociale, subvencione.
Boll më me mashtrime!
Nuk është e vërtetë që nuk ka zgjidhje për problemet e Shqipërisë!
Zgjidhje ka, por jo me këtë qeveri, jo me këtë sistem që mbron oligarkët dhe i lë shqiptarët pa shpresë! Zgjidhje ka dhe ne e dimë se si ta bëjmë”, tha Shehaj.
Për çdo problem, Partia Mundësia e ka një zgjidhje:
Për çmimet e larta: Çmimet mund të ulen duke luftuar monopolet dhe duke garantuar konkurrencë të ndershme.
✅ Pagat rriten duke hapur tregun dhe duke çliruar biznesin e ndershëm nga Shteti.
✅ Shëndetësia mund të përmirësohet duke hequr PPP-të e korruptuara dhe duke investuar në spitale.
✅ Pensionet rriten kur kemi një ekonomi të fortë, jo kur vjedhin fondet publike.
✅ Fermerët mund të ndihmohen nëse fondet shkojnë për ta, jo për xhepat e ministrave.
Në fund, Shehaj kishte një kërkesë për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, të besojnë te Partia Mundëisa, pasi pavarësisht se rrugëtimi do të jetë i vështirë, në fund ata do t’ia dalin.
“Rrugëtimi ynë nuk do të jetë i lehtë! Do të kërkojë punë, sakrificë dhe këmbëngulje.
Por ne do ia dalim!
● Do ia dalim sepse kemi të drejtë!
● Do ia dalim sepse kemi një vizion të qartë!
● Do ia dalim sepse shqiptarët kërkojnë ndryshim të vërtetë!
E ardhmja e Shqipërisë është në duar tuaja!
Kjo është koha për të ndërtuar një Shqipëri moderne!
Një Shqipëri ku ka mundësi për të gjithë.
Një Shqipëri që iu respekton si qytetarë, iu garanton të drejtat, iu jep mundësi të investoni, të riktheheni në shtëpinë tuaj.
Një Shqipëri ku të jetoni me dinjitet!
Të bashkuar, të fortë, të vendosur, së bashku do ia dalim”, mbylli fjalën e tij Shehaj.