Muxhahedinët përplasen fizikisht me policinë, zëdhënësi i MEK: Kanë vrarë një prej nesh!

Përplasje mes policisë dhe komunitetit të MEK në Manzë. Banorët e kampit të muxhahedinëve kanë kundërshtuar fizikisht operacionin e policisë për kontroll.

Ky operacion u bë me urdhër nga SPAK pasi dyshohet se brenda kampit fshihet një eksponent terrorist. Policia ka hedhur gaz lotsjellëz në një nga kazermat ku strehohen anëtarët e MEK.

Një nga banorët e MEK ka thënë për mediat se një person është vrarë:

“Çfarë kemi bërë? Ata vranë një person. Përdorin gaz dhe pastaj dhe shkopa gome. E kanë vrarë brenda në sallë. Eshtë brenda akoma. Ne nuk jemi terroristë. Ne jemi opozitarë të pushtetit iranian”, tha njëri prej tyre.

Mësohet se policia shqiptare ka pasur informacion nga partnerët perëndimorë, që kanë kohë që ndjekin aktivitetin e MEK në Shqiperi se ka patur eksponentë të shërbimit iranian mes muxhahedinëve.

Burime jo zyrtare nga SPAK konfirmojnë se ka patur përplasje por nuk konfirmohet ende për të plagosur dhe viktima deri në këtë moment. Policia ka patur urdhër kontrolli dhe sekuestrimi sendesh. Prokurori Vladimir Mara është përfaqësuesi i SPAK që ka paraqitur kërkesën në GJKKO për ushtrim kontrollesh dhe sekuestrim dokumentacionesh, serverash dhe sendeve të tjera me vlerë për hetimin. Kujtojmë se me urdhër Marës, në verën e 2020 u arrestua iraniani Bijan Polagrad ish banor i këtij kampi, për terrorizëm, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike, cenim i sigurisë kombëtare etj. Çështja e tij u gjykua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit që foli në atë kohë për të paktën 12 persona nën hetim dhe se procesi përbënte materiale top sekrete.