Pothuajse çdo ditë në media raportohet mbi tenderat e dyshimtë të institucioneve, të cilat fitohen në pjesën më të madhe në 99% të fondit limit.
Kjo vjen për shkak të mungesës së konkurrencës, pasi në këto tendera garon vetëm 1 kompani, e cila në shumicën e rasteve është e preferuara e drejtuesve të secilit institucion.
Por shembullin e mirë e ka dhënë ARRSH në tenderin për ndërtimin e “Korridorit të 8”, i ndarë në disa segmente, ku kanë garuar në çdo tender të paktën nga 10 kompani.
Për segmentin e parë të rrugës Elbasan-Lekaj shteti ka kursyer 4.2 milionë euro, për shkak se Agbes, Aida Construction dhe Alba Construction ofruan 21 milionë euro, nga 25.3 milionë euro që ishte fondi limit.
“Sipas dokumentave të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në tender u paraqitën plot 10 oferta nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend. Oferta më e ulët ishte ajo e kompanisë Pevlaku, e cila ofroi çmimin 16.5 milionë euro ose gati 9 milionë euro më pak se vlera limit. Ramë Geci me Geci shpk ofroi çmimin 18.2 milionë euro, ndërsa BE-IS dhe Bami ofruan vlerën 19.6 milionë euro.
Megjithatë 3 ofertat më të ulëta u skualifikuan për shkak të mospërmbushjes së kritereve kualifikuese, kryesisht për shkak të angazhimit të stafit dhe makinerive në kontrata të tjera publike”, raporton Kapitali.
Por kjo konkurrencë ka ndodhur në të gjitha segmentet e këtij projekti, pasi te faza e parë e Papër – Ura e Grykshit u kursyen 7 milionë euro, për shkak se kompania fituese ofroi 18 milionë euro nga 25 milionë që ishte fondi limit.
E njëjta gjë ndodhi edhe te faza e tretë, ku u kursyen 4 milionë euro nga “Alb Building”. Sipas gazetarit Klodian Tomorri, vetëm te segmenti Papër – Ura e Grykshit u kursyen 16 milionë euro, ndërsa në të gjithë projektin janë gati 30 milionë euro të kursyera.
Kjo tregon më së miri se hapja e garës dhe konkurrenca i bën mirë shtetit shqiptar, pasi kursehen dhjetëra miliona euro që mund të shkojnë për rritjen e rrogave, pensioneve apo investimeve të tjera, duke mos i shpërndarë vetëm në një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.