Konfindustria kërkon ndërhyrje urgjente për tregun e karburanteve: Të ulen taksat vjetore të automjeteve

Konfindustria ka ngritur alarmin për pasojat e rënda ekonomike që mund të sjellë përkeqësimi i situatës në Gjirin Persik, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të ndërmarrë masa të menjëhershme për rishikimin e politikës fiskale dhe rregullatore në tregun e karburanteve.

Sipas vlerësimeve të modelit ekonomik, një rritje prej 30% e çmimit të karburanteve do të shkaktonte një inflacion prej të paktën 6% dhe një tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PPB) me rreth 2.8–3%. Ky skenar, sipas Konfindustrisë, rrit ndjeshëm rrezikun që vendi të hyjë në recesion ekonomik gjatë vitit 2026 dhe në vijim.

Konfindustria kërkon uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve, duke i përafruar ato të paktën me mesataren e vendeve të rajonit. Sipas saj, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka ndërmarrë masa konkrete lehtësuese për përballimin e krizës së çmimeve të karburanteve.

Konfindustria e konsideron të pamjaftueshme dhe të pakuptimtë ndërhyrjen e deritanishme, e cila parashikon uljen me 20% të akcizës vetëm në rast se çmimi i naftës arrin në 220 lekë për litër.

Sipas saj, thellimi i diferencave në kostot e karburanteve me vendet konkurruese në rajon dhe më gjerë rrit rrezikun e falimentimit për industrinë, prodhimin vendas dhe bizneset, si dhe sjell goditje të forta inflacioniste për qytetarët.

Ndër propozimet kryesore, Konfindustria kërkon nisjen e procesit për shndërrimin e Bordit të Transparencës në një Ent Rregullator të Karburanteve, si një institucion i përhershëm dhe profesional për të luftuar spekulimet në treg.

Gjithashtu, ajo mbështet krijimin e një operatori me kapital shtetëror që të operojë në tregun me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Ky treg konsiderohet strategjik për ekonominë shqiptare, me një qarkullim vjetor prej afro 2 miliardë dollarësh dhe që përbën rreth 10% të PPB-së.