Konferencë për barazinë gjinore në kinematografi, ambasadorja franceze: Gratë e kanë ndërtuar vetë tryezën e kinemasë

Konferenca ndërkombëtare “Thyerja e Kornizës – Gratë e Ballkanit ri-imagjinojnë kinemanë” ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të rëndësishëm të industrisë audiovizuale nga rajoni dhe Evropa, për të diskutuar sfidat konkrete me të cilat përballen gratë në këtë sektor dhe për ta lidhur këtë debat me reformat që po përgatiten për kinematografinë shqiptare. Aktiviteti organizohet nga Albanian Women in Audiovisual me mbështetjen e Ambasada e Francës në Shqipëri dhe në partneritet me KUB Tirana, me synimin që çështja e barazisë gjinore të kalojë nga diskutimi teorik në politika konkrete zhvillimi.

Ambasadorja franceze Catherine Suard theksoi se barazia gjinore nuk duhet trajtuar si një kuotë formale, por si një standard cilësie për industrinë krijuese. “Po i kushtojmë rëndësi të veçantë meritokracisë, në mënyrë që gratë të mos jenë thjesht një numër, por që forca e krijimtarisë së tyre të përcaktojë suksesin e sektorit të kinematografisë. Grave nuk u duhet të kërkojnë një vend në tryezën e kinemasë, sepse ato e kanë ndërtuar vetë tryezën e tyre”, u shpreh ajo.

Në të njëjtën linjë, drejtori i Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Jonid Jorgji, u ndal te sfidat që hasin gratë artiste në këtë fushë, duke e lidhur diskutimin me ndryshimet ligjore që po hartohen për sektorin.

“Kornizat institucionale duhet të thyen për të ndërtuar një të ardhme për gjysmën e shoqërisë, e cila në rajonin tonë përballet ende me një tavan të ngushtë prej 15%. Vetëm imagjinata nuk mjafton; duhet të riimagjinojmë një botë që na bashkon. Si mund ta gjejë gjysma më e mirë e njerëzimit vendin që meriton në kinema?”, tha ai. Jorgji theksoi se industria ka nevojë për perspektivën artistike të grave dhe për më shumë siguri e mbështetje për to, duke nënvizuar se investimi në arsimim dhe bursa është kyç për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në sektor.

Nga përvoja franceze, Agnes Toulliex, përfaqësuese e Centre National du Cinéma et de l’image animée (CNC), foli për sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë edhe në një industri të konsoliduar si ajo franceze. “Franca është një vend shumë patriarkal dhe pozicionet kyçe janë mbajtur tradicionalisht nga burrat… Duhet të punojmë për të siguruar që gratë të përfaqësohen siç duhet në sektorin audioviziv,” tha ajo, duke shtuar se vullneti institucional mund të sjellë ndryshime përtej politikave standarde.

Drejtorja ekzekutive e Albanian Women in Audiovisual, Sabina Kodra, solli në vëmendje realitetin e profesionisteve në tregun vendas dhe rajonal. “Shumë çmime ndërkombëtare po fitohen nga profesioniste gra në sektorin audioviziv. Kemi të njëjtin problem mungesën e producenteve gra por po përpiqemi të inkurajojmë më shumë pjesëmarrje… Po përpiqemi t’i mbështesim,” tha ajo.

Ndërsa Peter D. Todorov, drejtori ekzekutiv i Qendra Kombëtare e Filmit të Bullgarisë, solli statistika që tregojnë hendekun gjinor në profesion. “Në financë nuk kemi të njëjtin diskutim  nuk ke nevojë t’i inkurajosh gratë të marrin pjesë. Në kinema, po. Statistikat tregojnë se për çdo regjisore grua, ka tre regjisorë burra. Mentaliteti në kinema është ende se është një botë burrash,” u shpreh ai.

Në të njëjtën frymë, Elena Christodoulidou nga Cyprus Cinema Office foli për instrumentet konkretë që mund të përdoren për të rritur pjesëmarrjen e grave, përfshirë stimuj financiarë dhe ulje tarifash për kompanitë e prodhimit që angazhojnë më shumë profesioniste gra. “Synojmë të mbështesim paga më të larta dhe kushte më të mira për gratë në industri,” tha ajo.

Zv.ministrja Lira Pipa nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit u ndal te reformat që po projektohen në fushën e artit dhe kinematografisë, duke theksuar politikat që synojnë rritjen e përfshirjes së grave. “Po ndjekim disa reforma që lidhen me Ligjin për Kinemanë… dhe po punojmë për të hartuar politika që nxisin përfshirjen e grave si krijuese filmash,” deklaroi ajo, duke shtuar se barazia gjinore duhet të jetë pjesë e strukturës së politikave dhe jo vetëm një synim deklarativ.

Industria audiovizuale në Evropë mbetet një nga sektorët kulturorë me rritjen më të shpejtë, duke gjeneruar mijëra vende pune dhe investime ndërkufitare, por pabarazitë gjinore vijojnë të jenë të dukshme. Në shumë vende, filmat e mbështetur financiarisht që drejtohen nga gra përbëjnë vetëm 20–30 për qind, ndërsa përfaqësimi në nivelet vendimmarrëse është edhe më i ulët.

Në këtë kontekst, “Thyerja e Kornizës” synon të shërbejë si një platformë konkrete veprimi, duke kërkuar që reformat ligjore, investimet ekonomike dhe barazia gjinore të zhvillohen paralelisht. Shqipëria, me një brez të ri kineastësh dhe me potencial në rritje për bashkëprodhime ndërkombëtare, përballet me një moment të rëndësishëm: të ndërtojë një industri filmike konkurruese jo vetëm përmes financimit dhe infrastrukturës, por edhe përmes përfshirjes së plotë të talenteve krijuese, pa dallim gjinor.