Kompania e lobimit pranon gabimin dhe korrigjon letrën në DASH: Berisha është aktiv në politikë, por s’ka post në qeveri

Pak ditë më parë, kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare të 11 majit i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) heqjen e “non gratës” për kryedemokratin, Sali Berisha.

Ajo çfarë ra në sy në letrën drejtuar DASH ishte fakti ku shkruhej se Berisha nuk është më një figurë aktive politike, ndërkohgë kreu i PD del çdo ditë në konferencë për media për të bërë denoncime të ndryshme.

Por disa ditë më vonë, kompania lobuese e ka korrigjuar gabimin duke e cilësuar “aktiv në politikë, por jo në Qeveri”.

“Ky raport i korrigjuar rregullon një version të mëparshëm. Versioni i korrigjuar tani pasqyron saktësisht që, ndonëse z. Berisha aktualisht nuk mban asnjë post qeveritar, ai mbetet një figurë aktive politike në rajon dhe udhëheqësi aktual popullor i partisë opozitare në Shqipëri, diçka që versioni i mëparshëm e kishte saktësisht të shënuar në faqen 15. Përmbajtja e plotë e raportit mbetet e padiskutueshme, që është se z. Berisha dhe familja e tij nuk është dashur kurrë të ishin objektiv, shpallja e tij nuk ishte e justifikuar, dhe heqja e kësaj shpalljeje mbështetet si nga faktet ashtu edhe nga ligji dhe është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar”, thuhet në letrën e dëguar nga kompania lobuese Continental Strategy në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Si ishte letra e Continental Strategy:

Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.

Si u bë pas korrigjimit:

Shpallja sipas nenit 7031(c) ndaj ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në degradimin e Shqipërisë në atë që kritikët tashmë e quajnë “shtet narkotik.” Ndërkohë që demokracia e Shqipërisë është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk mban asnjë funksion qeveritar aktualisht, por mbetet një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.