Komisioni i Braçes sulm mediave, i kërkon Policisë të hetojë për lajmet mbi vrasjen e 14 vjeçarit

Ditën e sotme, deputeti i PS, Erion Braçe kërkoi hetimin e mediave në lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së 14 vjeçarit, Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi.

Braçe në cilësinë e kryetarit të komisionit të Dezinformimit, tha se kanë kërkuar hetimin e mediave sa i takon raportimit të ngjarjes së rëndë.

“I kemi kërkuar policisë të hetojë një rast model dezinformimi që i është bashkangjitur atij krimi të përvitshëm ndodhur në mes të Tiranës. Një rast i pastër dezinformimi me synim politik që vazhdon dhe pa iu ikur adresave kyçe; policia, prokuroria e adresa të tjera institucionale për të krijuar një konflikt. Është rast i përsëritur njësoj si me një ngjarje në Pogradec apo një ngjarje me fëmijë të ndodhur në Britaninë e Madhe. Dezinformimi ka qenë i qartë në raport me SPAK, BKH edhe me atakun e përfshirjen e drejtpërdrejt në ngjarje të këtyre institucioneve. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e aspektit të dezinformimit“- tha ai mes te tjerash ne nje deklarate per gazetaret.

Sipas socialistit, kjo ngjarje është një model tipik dezinformimi, që sipas tij po vazhdon ende. Në lidhje me këtë deklaratë të Braçes ka reaguar i alarmuar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Teksa i kërkojnë deputetit të PS të tërhiqet nga thirrjet e tij, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i kujton Braçës se kjo është nisja e një fushate shqetësuese ndaj lirisë së gazetarëve.

Reagimi:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar mbi kërkesën e deputetit socialist Erion Braçe ndaj prokurorisë për të nisur hetimet ndaj mediave.

Ditën e sotme, më datë 4 dhjetor 2024, kryetari i Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, deputeti socialist Erion Braçe ka thënë në një deklaratë për mediat se i ka kërkuar prokurorisë nisjen e hetimeve në lidhje me raportimet e mediave për vrasjen e një 14-vjeçari pranë një shkolle në Tiranë.

Kërkesat ndaj prokurorisë të Z.Braçe janë tronditëse, pasi tregojnë qartë se komisioni i shtuquajtur “kundër dezinformimit” është një mjet që do të përdoret kundër mediave.

Ne kërkojmë me urgjencë nga Z.Braçe të tërheqë thirrjet e tij për hetimin ndaj mediave dhe gazetarëve për rastet e caktuara, pasi kjo është nisja e një fushate shqetësuese ndaj lirisë së gazetarëve.