Disa të vërteta mbi ndikimet e rënies së Euros
Zhvillimet politike ia kanë errur sytë editorialit mediatik duke hequr vëmendjen nga ata që realisht sot kanë më shumë nevojë të dëgjohen.
Prodhuesit shqiptarë që eksportojnë produket “MADE IN ALBANIA” janë të prekurit kryesorë nga rënia e kursit të këmbimit të euros. Në raportin e publikuar për periudhën Janar- Qershor kompanitë eksportuese kanë njohur humbje në afro 35 milionë Euro vetëm nga paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit.
Sektori fasonë si i prekuri më i madh po rrezikon të ndërmarrë masa në uljen e numrit të punonjësve, gjë e cila do të ndikonte negativisht në ekonomitë e vogla familjare të atyre familjeve që sigurojnë të ardhurat nga puna në këtë sektor.
Të tjerë të prekur janë qytetarët që bazojnë sigurimin e të ardhurave nga remitancat. Sipas Bankës së Shqipërisë remitancat përgjatë vitit të fundit kanë qënë në shifrat e 240 milionë euro, duke iu afruar shifrave më të larta të regjistruara ndër vite. Të gjitha këto “ndihma” për familjet shqiptare do të përkthehen në më pak lekë për poseduesit e tyre, ç’ka nënkupton më pak konsum për të njëjtën shumë të ardhurash.
Të prekur po ashtu janë edhe punonjësit që paguhen në monedhën euro. Sot ato do të gëzojnë më pak të ardhura në ekonominë familjare të tyre.
Për të gjitha kategoritë më lart përfitimet ekonomike janë ulur me afro 20% nga një vit më parë vetëm nga ndryshimet e kursit të këmbimit.
Përdorimi i monedhës Euro ka njohur rritje të vazhdueshme në volumin e kryerjes së transaksioneve. Vetëm përgjatë vitit 2022 janë kryer nëpërmjet bankave rreth 156 mijë veprime, për një vlerë totale prej rreth 3.35 miliardë Eurosh, këto trasaksione të regjistruara brenda për brenda vendit.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në treg në këto momente do të ndikonin po ashtu në një rritje të inflacionit, gjë e cila do të rriste kostot tek qytetarët në masë më të gjerë. Në këto kushte kur politikat monetare janë të kufizuara, lind nevoja që qeveria të ndërhyjë në lehtësimin e politikave fiskale për këtë kategori biznesi.
Produktet “MADE IN ALBANIA” dhe prodhuesit shqiptarë sot duhet të kenë vëmendjen e plotë, pasi ato janë hallka të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në vendin tonë. Kostot e drejtpërdrejta të kësaj paqëndrueshmërie afektojnë negativisht konsumin dhe ekonominë shqiptare në tërësi.