KLSH e kallëzoi për dëmin prej 33 milionë lekë me prokurimet publike/ Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi në SPAK

Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur në SPAK, mesditën e së hënës.

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar SPAK, që të hetojë Elvis Rroshin, për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Ka qenë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kallëzoi penalisht në Prokurori në vitin 2015, Elvis Rroshin dhe 10 punonjës të kësaj bashkie për shpërdorim të detyrës dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 33 milionë lekësh.

KLSH rendit në listën e shkeljeve 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH akuzon bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, KLSH vlerëson se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.

Sipas KLSH, shkelje ligjore janë konstatuar edhe në blerjen e karburantit, mbjelljen e pemëve dekorative apo ndriçimin e shëtitores “Indrit Cara” në Kavajë, ku kompanitë fituese janë shpallur pa plotësuar kriteret ligjore për kualifikim.

Më herët, Gjykata e Durrësit kishte pushuar procedimin penal ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, por Gjykata e Posaçme pasi e kaloi çështjen në filtrat e saj vendosi të mos e pranojë një gjë të tillë.