Pak ditë më parë, në Kosovë u zhvillua një protestë madhështore në mbështetje të ish-krerevë të UÇK-së, të cilët qëndrojnë prej vitesh të burgosur me vendim të Gjykatës Speciale, dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”.
Pas gjithë asaj proteste për ata që rrezikuan jetën për lirinë e Kosovës, nuk mund të mungonte edhe një reagim nga kryeministri shqiptar Edi Rama, që edhe këtë herë gjeti mundësinë të sulmojë pushtetin në Kosovë.
Me një kërkesë publike drejtuar Kuvendit të Kosovës, ai e kritikon se pse ende nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar shkeljet e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Rama i kërkon Kosovës që të ngrihet në mbrojtje të të burgosurve, e më pas premton se Kuvendi i Shqipërisë do ta pasojë menjëherë të njëjtën rezolutë.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiç asgjë?!
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet.
Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore”, shkruante Rama.
Por, nëse “Liria ka emër”, atëherë përse kjo liri nuk përmendet kurrë nëpër rezolutat që Shqipëria nuk ka guximin t’i votojë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë?
Pse Shqipëria zyrtare nën drejtimin e Edi Ramës refuzon prej vitesh të mbështesë në Kuvend një rezolutë që përmend qartë krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës?
Opozita e ka kërkuar disa herë një rezolutë të tillë, por mazhoranca socialiste, me direktivë të Ramës, ka refuzuar ta miratojë, duke u justifikuar me pretekste teknike e diplomatike, që në fakt nuk janë gjë tjetër veçse një përkulje e shëmtuar para Beogradit.
Kjo është një hipokrizi që nuk fshihet dot më!
Rama kërkon nga Kosova që të bëjë atë që vetë ai nuk guxon ta bëjë. Kërkon rezolutë për të dënuar padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka pranuar asnjëherë të pranojë në mënyrë institucionale, me votë parlamentare, një të vërtetë historike: se Serbia ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë ndërhyrjet e njëpasnjëshme të Edi Ramës në politikën e brendshme të Kosovës. Marrëdhëniet e tij me kryeministrin Albin Kurti kanë qenë të ftohta dhe shpeshherë të tensionuara, pikërisht për shkak të këtyre “presioneve” që Rama ushtron ndaj Kosovës.
Vetëm pak kohë më parë, ai kërcënoi me pasoja nga Bashkimi Evropian nëse Kosova nuk pranonte marrëveshjen e propozuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshje që Kosova e kishte refuzuar për shkak të pasojave të rënda politike dhe juridike që mund të sillte.
Në vend që të mbështesë Kosovën në betejat e saj të vështira ndërkombëtare, Rama ka zgjedhur të bëjë presion mbi të. Mjafton të kujtojmë edhe përfshirjen e tij në nismën “Open Balkan”, ku përkrahja e Aleksandër Vuçiçit dukej më e fortë se çdo deklaratë solidariteti me Kosovën.
Në këtë kontekst, kërkesa për rezolutë nga Kosova është jo vetëm absurde, por edhe fyese, sepse vjen nga një njeri që e ka tradhtuar me heshtje të gjitha mundësitë që ka pasur për të përkrahur Kosovën në mënyrë të sinqertë dhe pa interes personal apo politik.
Vjen nga një qeveri që nuk e ka gjetur ende guximin të quajë gjenocid atë që ka ndodhur në Kosovë, ndërkohë që mban fjalime për drejtësi e demokraci në Hagë.
Edi Rama s’mund të kërkojë më që të tjerët të bëjnë siç thotë ai, kur vetë nuk bën asgjë nga ato që thotë.
Koha e këtij standardi të dyfishtë ka kaluar, nuk ka më vend për patriotizëm me regji. Nëse vërtet e ka hallin për drejtësinë, le të nisë nga vetja dhe nga Parlamenti i Shqipërisë. Të votojë rezolutën për gjenocidin serb.
Pastaj, ndoshta, do të ketë të drejtën morale të flasë për të tjerët.