Kërkon dërgimin e trupave në Ukrainë, por Franca mbetet blerësja kryesore e gazit rus në Evropë

Nga Sandy Fitzgerald “Newsmax”

Presidenti francez Emanuel Makron, është pozicionuar muajt e fundit si një nga mbrojtësit më të fortë të Ukrainës, duke bërë bujë me paralajmërimin e tij për dërgimin e trupave franceze. Megjithatë edhe këtë vit, më shumë dërgesa të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) kanë shkuar në Francë sesa në çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të analizuara nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA) për Politico, Franca ka shpenzuar pak më shumë se 640 milionë dollarë për furnizime me gaz nga Rusia që nga fillimi i këtij viti, duke nxitur akuzat ndaj saj për hipokrizi nga vendet e tjera.

“Nuk mundet që nga njëra anë Franca të na bëjë moral dhe të na thotë se duhet të jemi edhe më të ashpër me Rusinë, dhe nga ana tjetër ta furnizojë atë me shuma të mëdha parash”-tha një diplomat i një vendi të BE-së, duke folur në mënyrë anonime për të pasur mundësinë të ishte tërësisht i sinqertë.

Megjithatë muajt e fundit, Makron ka mbajtur një qëndrim të ashpër publikisht kundër Moskës, duke përfshirë nxitjen e aleatëve që të mos tregohen më “frikacakë” përballë Rusisë dhe të mos refuzojnë të përjashtojnë edhe mundësinë e dërgimit e trupave për të luftuar në Ukrainë.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, qeveria franceze thotë se blerja e LNG-së nga Rusia është e nevojshme për të ruajtur fluksin e furnizimeve evropiane me energji, dhe se këto blerje janë pjesë e një marrëveshje afatgjatë e nënshkruar vite më parë, dhe nga e cila është shumë e vështirë të shmangesh.

Të ardhurat e Rusisë nga karburantet fosile, përbëjnë rreth gjysmën e buxhetit të Kremlinit. Por teksa të ardhurat nga ky sektor janë dëmtuar jo pak nga sanksionet e vendosura nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera të aleancës perëndimore, kritikët thonë se Parisi mund të bëjë më shumë për të ndaluar blerjet e gazit rus.

Ndërkohë ata pretendojnë se aktualisht Parisi nuk po merr masa në këtë aspekt, për shkak të rezistencës së fortë nga TotalEnergies, gjiganti kombëtar i energjisë. Kjo kompani zotëron 20 për qind të aksioneve në projektin Yamal LNG, që ka një impiant të lëngëzimit të gazit në Siberinë Veriperëndimore, dhe e cila është kryesisht në pronësi të kompanisë private energjitike ruse, Novatek.

Për shkak të një kontrate afatgjatë, TotalEnergies duhet të blejë të paktën 4 milionë tonë LNG nga impianti siberian çdo vit, deri në vitin 2032. Po ashtu TotalEnergies, ka lidhur një kontratë afatgjatë me kompaninë Yamal LNG në Holandë, ku zyrtarët holandezë thonë se që nga viti 2022 kompania franceze nuk i është përgjigjur kurrë kërkesave për të reduktuar importet nga Rusia.

Një zëdhënës i TotalEnergies, refuzoi që të komentonte mbi diskutimet e qeverisë holandeze, por tha se kompania vepron në çdo rast në përputhje me ligjet e BE-së. Ndërkohë Ministria franceze e Ekonomisë, tha se çështja ruse e LNG-së “nuk ka të bëjë as me kontratën apo aktivitetet e TotalEnergies”, por me rrezikimin e sanksioneve të reja për të gjithë unionin.

“Kjo nuk është një çështje e lehtë”- tha një zëdhënës i Ministrisë së Energjisë, duke vënë në dukje se TotalEnergies ka nënshkruar kontrata afatgjata, të cilat e detyrojnë atë të blejë LNG nga Rusia, edhe nëse gazi nuk importohet.

Ministri francez i Ekonomisë Bruno Lë Mer, vazhdon që t’i mbrojë këto blerje. Ai deklaroi muajin e kaluar se reduktimet e tyre janë të mundshme, por ato duhet të bëhen gradualisht për të shmangur një tronditje “brutale” në treg dhe duke mos rrezikuar shkaktimin e një rritje të madhe të çmimeve.

Ndërkohë, disa vende në Bashkimin Evropian kanë vazhduar të blejnë pak naftë, gaz dhe lëndë djegëse bërthamore nga Rusia. Blloku ka qenë në gjendje që ta reduktojë me 2/3 varësinë e tij nga gazi nga Rusia, në një kohë që ka vendosur një ndalim për importet e qymyrit dhe naftës që vijnë nga deti.

E megjithatë, kur flitet për gazin e lëngshëm natyror, LNG, miliarda dollarë arkëtohen ende nga Moska për shkak të blerjeve nga vendet e BE-së, të cilat kanë paguar më shumë se 8.5 miliardë dollarë, sipas një raporti të CREA botuar javën e kaluar.

Një zëdhënës i Ministrisë Franceze të Ekonomisë, tha për Politico se importet e rritura vijnë për shkak të zhvillimeve që prishën rrjedhën normale të furnizimit vitin e kaluar, teksa shtoi se një sasi e madhe e LNG-së kalon përmes Francës për të furnizuar më pas edhe vende të tjera të BE-së, si për shembull Italinë.

Sipas të dhënave të transportit detar, të paktën 9 vende të tjera të Bashkimit Evropian po vazhdojnë që të blejnë LNG-në nga Rusia. Por Parisi e kryeson  këtë listë në vëllime shumë të larta gazi të importuara këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Belgjika, Spanja dhe Holanda, blerësit më të mëdhenj të gazit rus pas Francës, kanë deklaruar se do të mbështesin hapat për të reduktuar blerjet, por theksuan se vendet e BE-së duhet të veprojnë së bashku.