Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Fillimisht Bardhi përgëzoi deputetët e PD në lidhje me aksionin opozitar në seancën e kësaj të enjteje, ku projektligjet u votuan mes kaosit dhe tensioneve.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Bardhi bërë me dije se nuk përjashton më asnjë skenar për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve që zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës të përfundojë në qeli sipas kërkesës së SPAK.
“Shqiptarët s’mund të jenë peng i një qeverisje të korruptuar. I shpreh mirënjohjen çdo deputeti që sot u ngrit në lartësinë e detyrës për t’i shërbyer interesit publik, do marrim nesër pjesë në mbledhjen e këshillit të mandateve dhe vota jonë është e qartë, pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë të një zyrtari të korruptuar, të Ramës, që është Belinda Balluku, askush nuk mund ta mbyllë korrupsionin e Ballukut në kasafortë.
Dua të dënoj shkeljen e procedurë parlamentare, që ka kryer kryetari i kuvendit. Ky nuk është rasti i parë. Deputetët anëtarë nuk janë njohur me provat, por edhe urdhri i prokurorit nuk i është vënë në dispozicion deputetëve, urdhri nuk ndalon deputetë të njihen me materialet urdhri ndalon të pandehurën Balluku të njihet materialet e sjellura në kuvend dhe Peleshi bën të kundërtën. Balluku ka marrë kopje të provave se do të vijojë të intimidojë dëshmitarët.
Ditën që Balluku është rikthyer në detyrën e saj, SPAK përmes metodave speciale të hetimit, përgjimi ambiental, videot apo fotografitë, ka konstatuar që është duke intimiduar vartësit e saj. Çdo ditë që qëndron në zyrë, prish hetimet, intimidon dëshmitarët dhe ka urgjencë të jashtëzakonshme trajtimi i kësaj çështje dhe dhënia e autorizimit. Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, tha Bardhi.