Kërcënohet Ministri i Brendshëm serb, i dërgojnë në zyrë zarf me tre plumba

Një letër që mbante një zarf me tre plumba ka mbërritur në adresën e Ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç.

Lajmi u konfirmua nga Ministria e Punëve të Brendshme serbe. Sipas njoftimit, zarfi është vërejtur të enjten “gjatë procesit të rregullt të ndarjes së postës”.

“Gjatë kontrollit të sigurisë me pajisje me rreze X, në zarf u gjetën tre plumba”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme serbe.

Autoritetet shtuan se u përcaktua që paketa ishte dërguar me postë më 26 gusht 2025, në një degë të Postës së Serbisë në Pozharevac, dhe se policia e ka identifikuar dhe lokalizuar dërguesin.

Për rastin ka reaguar edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha sot se Daçiç e informoi se kishte marrë një pako që mbante tre plumba.

Rasti është në hetim, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje të tjera mbi të dyshuarin.